E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ Kapet në flagrancë me kokainë dhe doza për shitje, arrestohet 43-vjeçari në Durrës

Policia sekuestron 250 gramë kokainë, doza të gatshme për shitje, 3 celularë dhe automjetin që përdorej për shpërndarje

Një tjetër goditje është dhënë aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogës në qytetin e Durrësit. Në kuadër të operacionit të koduar “Il Punto”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës, është arrestuar në flagrancë një 43-vjeçar.

Bëhet fjalë për shtetasin Jorgent Dhima, banues në lagjen nr. 7, Durrës, i cili akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë.

Operacioni u zhvillua në lagjen nr. 18, ku u bë ndalimi i tij gjatë kohës që lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit të mjetit, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Në vijim të operacionit, policia kontrolloi edhe banesën e 43-vjeçarit, ku u sekuestruan 250 gramë kokainë, të ndara në disa qese, një peshore elektronike, 3 aparate celularë, dhe automjeti që përdorej për shpërndarjen e drogës.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të dyshuarit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›