EMRI/ Kush do të zëvendësojë Mimoza Kaçin në krye të AMF

Këshilli i Ministrave i ka propozuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Adela Xhemalit, për pozicionin e anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Megjithëse vendimi i Këshillit të Ministrave është marrë më datë 25 shtator, ai i është përcjellë Kuvendit të Shqipërisë vetëm në fillim të këtij muaji.
Për një periudhë pesëvjeçare, deri në muajin maj të këtij viti, Adela Xhemali ka mbajtur detyrën e zëvendësministres së Financave. Më herët, ajo ka ushtruar funksione drejtuese në Ministrinë e Financave dhe në Kryeministri.
Përpara angazhimit në sektorin publik, Adela Xhemali ka pasur një përvojë të gjatë në sektorin bankar, duke përfshirë detyrën e drejtorit së Financës së Bankës Amerikane të Shqipërisë dhe më tej të Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri.
Adela Xhemali do të zëvendësojë në këtë detyrë Mimoza Kaçin, që e drejtoi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare prej prillit 2024, duke përfunduar mandatin e ish-drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, Ervin Mete.
Kush është Adela Xhemali?
Adela Xhemali ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë gjatë periudhës shkurt 2020 – mars 2025.
Më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Njësisë së Projekteve Kombëtare të Zhvillimit, Drejtorit të Programimit Financiar dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Borxhit Publik.
Gjatë viteve 2020–2025, Xhemali ka qenë përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë, në rolin e guvernatores, zëvendësguvernatores apo anëtare e këshillave administrativë, në disa institucione financiare ndërkombëtare dhe banka shumëpalëshe zhvillimi, si FMN, grupi i Bankës Botërore, MIGA, BERZH, CEB, ISBD, etj.
Ajo ka mbajtur pozicionin e anëtarit të bordit ose kryetarit të bordit në institucione të ndryshme shqiptare, si Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Korporata e Investimeve Shqiptare, etj.
Përvoja e znj. Xhemali në sektorin privat është përqendruar në industrinë bankare, ku ka mbajtur pozicione drejtuese, si Drejtor Financiar (CFO) dhe Zëvendëspresident i American Bank of Albania dhe Intesa Sanpaolo Bank për 13 vite.
Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës me Master Shkencor në Financë/Bankë dhe në Universitetin e Liverpool-it, me diplomë Bachelor në Administrim Biznesi. Gjithashtu ka ndjekur studime në Hult Ashridge Executive Education dhe në Harvard Kennedy School Executive Education.
