“Tatimorët bëjnë ‘të fortin’ me të dobëtin”/ Deputeti: Gjobë 8.2 milionë lekë për 15 kg gjizë

Deputeti i PS Erion Braçe solli në seancën e sotme plenare një sërë shembuj konkretë nga raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024, duke denoncuar sjelljen abuzive dhe klienteliste të disa zyrtarëve në Drejtoritë e Doganave dhe Tatimeve.
Braçe përmendi një rast të pazakontë gjatë një kontrolli tatimor në periferi të Tiranës, ku një biznes i vogël ishte gjobitur me 8.2 milionë lekë të vjetra për 15 kilogramë gjizë të gjetura pa faturë tatimore.
“Në momentin e kontrollit, rezulton se nuk kishte faturë për gjizë me çmim 229 lekë për kilogram. Dhe gjoba është 822 mijë lekë të reja. Për 15 kile gjizë! Ky është abuzim”, u shpreh Braçe.
Sipas tij, raporti i KLSH-së ka zbuluar problematika të theksuara në prokurimet publike, klientelizëm në Dogana, si dhe vonesa në arkëtimin e borxheve tatimore. Deputeti theksoi se shpesh zyrtarët tatimorë dalin jashtë çdo sistemi kontrolli, duke shmangur kamerat apo GPS-in gjatë inspektimeve.
“KLSH ka bërë një punë të mirë, sepse evidenton raste ku organet fiskale sillen egër me të dobëtin dhe bëjnë sikur nuk shohin kur bëhet fjalë për të mëdhenjtë”, shtoi deputeti i PS.
Në vijim, Braçe iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, sipas të cilave “janë vjedhur 900 milionë euro në 9 muaj”, duke i cilësuar këto deklarata si “gënjeshtra patologjike”.
“KLSH është institucion që punon mbi bazë faktesh, jo thashethemesh. Në raport nuk ekziston asnjë shifër e tillë. Të thuash se u vodhën 900 milionë euro në një vit është lajthitje ose mashtrim i qëllimshëm”.