EMRI/ Tentoi të vriste të riun pas sherrit te vijat e bardha, arrestohet 47-vjeçari në Shkodër

Arrestohet në Shkodër një 47-vjeçar, i cili lëvizte me armë zjarri pistoletë, ndërkohë që ishte në kërkim pasi akuzohej për tentativë vrasje me armë zjarri ndaj një të riu në maj të vitit 2024.
Gjatë operacionit, u kap dhe u ndalua Gentian Mithi, 47 vjeç, banues në Shkodër. Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik në rrugë, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë me një krehër dhe fishekë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi Gentian Mithi akuzohet se më datë 11.05.2024, në lagjen “Salo Halili”, ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të një 24-vjeçari, i cili u dëmtua në këmbë.
Policia ka sekuestruar një pistoletë me krehër dhe municion luftarak.