E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENCIKLOPEDIA MAQEDONASE, NJË “KRYENGRITJE” ANTISHQIPTARE



1.

Në botimin akademik të “Enciklopedisë Maqedonase” arrihet deri atje e aty sa shqiptarët t’i quajnë “pllanici” - njerëz të ardhur nga mali(!) dhe t’i paraqesin si “pushtues”, që kanë hyrë “tinëz”, kryesisht pas shek. XVI në Tetovë e Gostivar..., të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë” (!).

Kjo çështje nuk mund të merret apo tejkalohet aq lehtë sikur të ishte një “telenovelë televizive”, por duhet konceptuar siç është në realitetin kohor, pjesë e strategjisë politike, ekonomike, shkencore, arsimore etj. të qeverisë Gruevski e të strukturave të saj shtetërore, si pjesë e vargmalit të shovinizmit e racizmit të maqedonasve ndaj shqiptarëve, që s’ka të bëjë edhe aq me mbledhje të ekzemplarëve të enciklopedisë së tjerrë e bjerrë, që s’ka të bëjnë me autokritikë liderësh apo (ri)korrigjime të (hark)-tuesve të enciklopedirave me vëllime e historirave me trillime…

Maqedonasit Fyromë, me këtë enciklopedi të Akademisë së Shkencave, nuk bënë vetëm një botim zyrtar për tregtim e imponim të pavërtetash historike ndaj shqiptarëve etnikë në FYROM e në Ballkan, po e kryen një “kryengritje” antishqiptare në Shkup(!).

Kjo është, para së gjithash, një “kryengritje” kundër frymës së re të mirëkuptimit e zhvillimeve në Ballkan, kundër integrimeve euroatlantike, kundër Rendit të Ri Botëror të udhënisur pas rënies së Murit të Berlinit.

Kjo është, mbi të gjitha, një “kryengritje” kundër Kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903 dhe më e rëndë sesa “Kryengritja” konfliktuale shqiptaro-maqedonase e vitit 2001.

E para: Vetë Bllazhe Ristovski, akademiku që hodhi e nënshkroi në “Enciklopedinë Maqedonase” këto pavërtetësi shkencore ndaj shenjtërive të shqiptarëve, si: gjeneza etnike, toka etnike, figurat etnike të kombit shqiptar etj. është njëri nga përfaqësuesit e politikës shovene e raciste të FYROM-it ndaj shqiptarëve(!).

Vetë akademik Bllazhe Ristovski, ish-nënkryetar i qeverisë së FYROM (“Qeverisë së ekspertëve”) në vitin 1991, është një nga primarët e zellshëm të platformës shoviniste ndaj shqiptarëve etnikë në FYROM gjatë dy dekadave të fundit, si kundër gjuhës shqipe, kundër flamurit kombëtar shqiptar, kundër kombësisë shqiptare në shtetin FYROM etj.

Vetë akademik Bllazhe Ristovski është njëri nga kryesorët e avancuar me instruksionet e tij publike për spastrim etnik të shqiptarëve në Prilep e Manastir në vitin 2001.

Ky shkencëtar djall, i bekuar nga shovinizmi maqedonas dhe i betuar për revanshin racist e të spastrimit etnik të Shqiptarëve, i përkushtuar ndaj politikës së ditës të qeverisë Gruevski, na merr flamurin e antishqiptarizmit në hartim e mbrojtje të “Enciklopedisë Maqedonase”, do të thotë se ndërgjegjja kombëtare shqiptare, bota akademike shqiptare e klasa politike shqiptare në hapësirat ballkanike duhet të obligohet në maksimum për t’i shkuar të drejtës ndërkombëtare e të vërtetës shkencore deri në fund, në forumet euroatlantike, në mediumet e auditorët akademikë, në sallat e gjyqeve… për të mbrojtur dinjitetin shqiptar, shenjtëritë e përjetshme shqiptare.

E dyta: Enciklopedia Maqedonase na dëshmon se “evskit” e “ovskit” siç u sulën me armët e përgjakshme të gjenocidit e spastrimit ndaj shqiptarëve më 2001, si Kryeministri Georgievski e ministri i Brendshëm Boshkovski, po vërsulen edhe sot, më 2009, me “armë shkencore” të shovinizmit e racizmit ndaj shqiptarëve, Kryeministri Gruevski e akademiku Ristovski.

Në rast se më 27 shtator 2001 ndërmorën ndaj shqiptarëve misionin “Dhelpra e kuqërremtë” për shpërbërjen e UÇK-së etj., tani në vitin 2009 po na paraqitën me misionin “Dhelpra e zezë” duke i quajtur me fantazitë e tyre shovene të sëmura si “ardhacakë”(!) shqiptarët etnikë në FYROM.

Në rast se në vitin 2001 krijuan njësitë paramilitare sllavo-maqedonase të koduara “Luanët” duke vrarë shqiptarët, djegur shtëpitë e shitoret, duke kryer spastrime etnike të tokave etnike shqiptare, si në Manastir, Prilep etj., ende edhe sot, më 2009, Gruevskët e Ristovskët e të tjerë po iu duket vetja si “luanë”, që edhe me thellësitë e lartësitë e “shkencës” së tyre, si me “Enciklopedinë Maqedonase etj. të “legalizojnë” e “hipotekojnë” një spastrim të ri etnik të shqiptarëve, duke i etiketuar si “të ardhur” etj.

Nuk e dimë sa dinarë apo euro ka marrë Bllazhe Ristovski për kontributet (i)legale në dy strategjitë e spastrimit etnik të shqiptarëve si në kryengritjen e shqiptarëve më 2001 e në hartimin e botimin e “Enciklopedisë Maqedonase” më 2009, nuk e dimë sa ka financuar Gruevski, si ministër i Financave, për përgjakjen e kryengritjes shqiptare të vitit 2001 dhe për përflakjen e “kryengritjes maqedonase”, me enciklopedinë e vitit 2009, si Kryeministër i FYROM.

Po Gruevski, si ish-ministër i Financave të FYROM më 1999-2002, si ish- kryetar i Komisionit parlamentar të Financave e Buxhetit (2002-2004) dhe tani si Kryeministër i FYROM duhet ta dijë medoemos se ku kanë shkuar fondet e Bashkimit Evropian dhënë FYROM-it, si: 175 milionë euro për procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit; 53 milionë euro për invalidët e dëshmorët e konfliktit të detyruar shqiptaro-maqedonas të vitit 2001; 50 milionë euro për rindërtimet pas shkatërrimeve nga ky konflikt, pasi këto subvencione ende nuk janë ndier sa e si duhet në tokat, shtëpitë e jetët shqiptare etj., si në aspektin politik, ekonomik, social etj. dhe aq më keq se nuk ka llogaridhënie për destinacionet dhe efektivitetet e tyre.

Kur Gruevski e “ovskët” e “evskët” e tjerë, që drejtojnë FYROM-in, këtë vend kandidat për në BE, siç sillen në këtë mënyrë me eurot që u jep Bashkimi Evropian për shqiptarët, bile edhe më keq, sillen me taksat e djersës e sakrificave të shqiptarëve duke sponsorizuar “Enciklopedinë Maqedonase” etj., që ndërmarrin operacione histerike shovene e raciste me të pavërteta shkencore për historinë, tokën, figurat, kulturën… shqiptare…

Tash dy dekada e këto ditë edhe me enciklopedi të fyesh komshinjtë, (shqiptarët) që i ke në krahë nga fati i padrejtë historik, në udhë si shtetformues, në zyrë si bashkëpunëtor, në kafe si miq, që jetojnë në tokën e vet etnike, ndërtojnë jetën e vet me vështirësi biblike, do të thotë të fyesh vetveten (si maqedonas) dhe të fyesh vetveten domethënë të të mos të duan të tjerët (ndërkombëtarët) dhe kur nuk të duan as tjerët dhe as fqinjët, nuk e di se mund ta dojë FYROM vetveten.

Gruevski po sillet keq edhe me komshinjtë të mirë si shqiptarët, ka këshilltarë si Ristovski që e “mësojnë” keq për të sulmuar shqiptarët, pra, i bie dy herë keq, i bie të tregohet dy herë i keq: një herë i keq me mendtë e veta dhe një herën me mendtë e të tjerëve.

Gruevski e Ristovski, si njëri e si tjetri, të dy njëlloj, të dy e njëjta bojë, me këtë “Enciklopedi Maqedonase” e gënjejnë vetveten, mundohen t’i gënjejnë tjerët dhe, tek e fundmja, nuk i beson askush dhe i tregon me gisht gjithkush.

E treta: Kjo “kryengritje” e kryer nga Akademia e Shkencave në FYROM është shumë e rrezikshme, tepër e rrezikshme, edhe për faktin tjetër se, gjithmonë, gjatë historisë, maqedonasit i kanë kryer “punët e tyre” antishqiptare gati qetësisht, me pak bujë e shumë fryte, me manovra të mëdha e me konflikte të “përmasave të vogla”, ndryshe nga serbët mbi Sanxhak, mbi Kosovë e mbi Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore).

Në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në vitet 1944-45, terrori e masakrat e maqedonasve ndaj shqiptarëve etnikë në Republikën e Maqedonisë (FYROM-in e sotëm), krahasuar me territorin e popullsinë shqiptare në këtë vend, nuk ishin më të vogla se ato të Serbëve në Kosovë.

Edhe kur Tito u dha disa të drejta shqiptarëve të kosovës si në qeverisje, për gjuhën shqipe, flamurin kombëtar shqiptar etj., në Maqedoninë si pjesë federale e Jugosllavisë artificiale, ishin më të kufizuara e më të reduktuara, shumë pak të ndjeshme. Në rast se Universiteti në Prishtinë u themelua në vitin 1970, në FYROM Universiteti i Tetovës u themelua më 17 dhjetor 1994 dhe u zyrtarizua nga qeveria e FYROM-it më 20 shkurt 2004(!).

Pas vitit 1981, në rast se Serbia ua mohoi të drejtat e liritë themelore shqiptarëve të Kosovës, duke kryer gjakderdhje, ushtruar terror e gjenocid etj. dhe më pas, realizoi ndryshime juridiko-kushtetuese etj., ndodhi ndryshe, krejt ndryshe në Republikën e Maqedonisë (FYROM-in e sotëm), sepse këto u ndërmorën me po të njëjtën ashpërsi në të gjitha pikëpamjet e në të gjitha fushat e jetës, po nuk patën të njëjtën jehonë në Shqipëri, Evropë e në botën e atyre viteve.

Asimilimi i shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë nga viti 1994 deri më 2009, për 65 vjet, është më i madh se ai i Serbëve mbi Kosovën në të njëjtën periudhë historike, si shqiptarët ortodoksë, duke i kthyer në sllavë ortodoksë, shqiptarët etnikë duke i regjistruar e trajtuar shtetërisht si turq, po edhe shqiptarë etnikë myslimanë, duke i bërë sllavë maqedonas etj. Edhe politikat e spastrimit etnik të shqiptarëve etnikë në FYROM kanë qenë më të mëdha se në Kosovë, duke i degdisur me forcë e mjeshtëri zyrtare me trena, kamionë e avionë, në këmbë e me kuaj, drejt Turqisë, Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë etj. e deri në shtete të Evropës, Azisë, Amerikës.

Në rast se në Kryengritjen e Ilindenit, ku morën pjesë e derdhën gjakun e tyre edhe shqiptarët, kishte 4.000 të rënë në fushën e kësaj beteje antiosmane 10-ditore, vetëm në dy dekadat e fundit, në FYROM janë vrarë mbi 500 shqiptarë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtar shqiptar etj., në Tetovë e Gostivar, në Tanushë e Haraçinë, në Manastir e Prilep etj.

Ky FYROM, të cilit Bashkimi Evropian i dha të drejtën më 2010 për lëvizje të lirë të qytetarëve të saj në vendet e hapësirës “Shengen” gjatë dy dekadave të fundit ka vrarë mbi 60 shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, nga Librazhdi, Dibra etj., ku vetëm nga fshati Rajcë 14 vetë, që nga viti 1991 me Florian Shkallën e të tjerë. Pse? Vetëm se shkonin të takonin të afërmit, për të kthyer bagëtitë që dilnin matanë kufirit, për të siguruar punë ditore etj.

E katërta: Me këtë “kryengritje”, maqedonasit fyromistë, me enciklopedinë e tyre të pafrymë kërkojnë të rrëmbejnë figurat e historisë kombëtare shqiptare.

Nga enciklopedia e tyre shpifanike e karrikatike nuk mund të orientohesh dot se ku ka lindur e ka vdekur Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, pasi aty dalin dy toponime të panjohura si Kruja dhe Llesh. Ata nuk heshtin asnjëherë për ta bërë të tyren Nënë Terezën etj.

FYROM nuk duhet t’i shtojnë shumë të rrahurat e zemrës (kujdes infarktin), nervat e mendjes (kujdes çmendurinë) e të çapëlojnë sytë (kujdes verbërinë) ndaj gjenezës e tokës etnike shqiptare, ndaj flamurit e gjuhës shqipe, ndaj historisë e kulturës shqiptare, as me hap, as me gjak, as me sanksione e as me diversione, as me të tilla projekte e sulme llume e të mjegullueme, si në enciklopedira e historira të mendjeve të mpira e të mërdhira... E themi këtë, se ne, shqiptarët etnikë, jemi fqinjët e parë në Shkup e Tetovë, në Qafë-Thanë e Han të Elezit, në Manastir e Tanushë, në Vardar e Drin; jemi bashkëndihmësit kryesorë kontribuuesit në Kryengritjen e Ilindenit më 1903, kur nisi udhën e shtetësisë dhe në vitet ’90 kur hapi udhën e pavarësisë; jemi bashkudhëtarë drejt projekteve të mëdha të integrimeve euroatlantike në BE e NATO.

FYROM, ne, bashkërisht, maqedonas e shqiptarë, ia nisëm Kryengritjes së Ilindenit në Krushevën shqiptare në Manastir. Ne bashkërisht, maqedonas e shqiptarë, e festojmë 2 gushtin e çdo viti, si festë kombëtare të FYROM-it. Ne, bashkërisht, maqedonas e shqiptarë, e bëjmë marshimin tradicional në çdo përvjetor të Ilindenit, duke nisur nga Krusheva... e në tërë FYROM-in.

Ndaj, FYROM, nuk duam të na cilësosh ne, shqiptarëve etnikë, as nëpër enciklopedira e historira, as nëpër rrotacione qeverish e auditorët e dijes, as te simbolet shtetërore e urat e gurta të Vardarit, si qytetarë të parend e të pavend, as si “të ardhur” e as si “të ikur”...

Ne, shqiptarët etnikë në Ballkan, pavarësisht nga “krizat” e pashuara të identitetit të FYROM-it, pavarësisht nga konfliktet ndëretnike të kultivuara e të provokuara nga FYROM-i, nuk duam që ta mbingarkosh anijen tënde “Ilinden” me shovinizma mesjetarë e racizëm primitiv, po nga Ilindeni në Ilinden, në çdo përvjetor, maqedonas e shqiptarë, ta ngrejmë FYROM-in në këmbë e ta çojmë në Evropën euroatlantike, mbi urat e Vardarit të ndiejmë kaltërsinë e Ohrit, që sjell dritë në vatrat tona, në Krushevën shqiptare të mbajmë bashkërisht flakadanët e Ilindenit për t’i sjellë progres vendit.

Ramiz LUSHAJ

Kryetar i Akademisë Monarkiste Shqiptare

TIRANË

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›