E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, të diplomuarit e Juridikut nisin grevën e urisë



Problemi i diplomave katërvjeçare, që shqetësoi për mjaft kohë të diplomuarit e sistemit të vjetër në Universitetin e Tiranës, është zhvendosur tashmë në Vlorë. Të diplomuarit e sistemit katërvjeçar të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës kanë hyrë në një grevë urie, duke kërkuar që diploma e tyre të quhet Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë. Ndërkohë që në Universitetin e Tiranës kjo gjë është zgjidhur dhe të diplomuarit marrin tashmë DIND, në Vlorë, ende vijohet me “diplomën katërvjeçare në Drejtësi” që nuk njihet nga ligji i arsimit të lartë.

Studentët

Pas protestave masive të zhvilluara, këtë herë një grup studentësh është ngujuar në brendësi të kampusit të universitetit, duke nisur një grevë urie pa afat, derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Diploma jonë është një copë kartoni dhe nuk ka në vetvete as nivel, as titull, por citon "diploma 4-vjeçare në Drejtësi". Fakti tjetër negativ qëndron në atë se nuk njihen nga tregu i punës, sepse nuk është dhënë në përputhje me formatet e miratuara nga MASH për diplomat. Ne duam uniformitetin e diplomës në rang republike dhe të shmanget diskriminimi. Si qenka më e mirë Tirana se ne kur programi mësimor ka qenë i njëjtë; kemi bërë po të njëjtat lëndë dhe sasi lëndësh; kemi transferuar studentë në Tiranë, të cilët kanë vazhduar të studiojnë atje, pra ku qëndron ndryshimi që Tirana të marrë një DIND dhe ne jo”, - thotë për “standard” njëri prej të diplomuarve të këtij universiteti, Aleks Papavangjeli.

Shaska

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Vlorës nuk e sheh si një problem këtë rast. “Unë nuk e shoh këtë si problem. Ish-studentët e Juridikut morën një diplomë 4-vjeçare, sepse kryen një kurs studimesh 4-vjeçar. A konsiderohet kjo diplomë si diplomë e integruar, diplomë e nivelit të parë apo të dytë ky nuk është shqetësimi ynë. Nëse Universiteti i Vlorës do të kishte një Diplomë të Nivelit të Dytë (DND) në Drejtësi atëherë ne do të gjenim një zgjidhje se si do të konsideroheshin këta studentë dhe sa kredite do t'u quheshin për DND”, - thotë rektori Shaska në një intervistë për mediat lokale.

Madje, ai shkon më tej, duke e cilësuar thuajse si të pavlerë këtë departament të universitetit që drejton, pasi sipas tij, nuk ekziston stafi i kualifikuar për të dhënë diploma, duke qenë se asnjë pedagog nuk ka doktoraturë. Për këtë arsye rektori Shaska vendos në pikëpyetje në tërësi diplomën e dhënë nga universiteti që ai drejton. “Ne nuk kemi një diplomë DND dhe me nivelin e stafit akademik në Departamentin e Drejtësisë, ku nuk ka asnjë pedagog me doktoratë, edhe ekzistenca e Diplomës së Nivelit te Parë vihet në dyshim”.

Ligji

Bazuar në ligjin për arsimin e lartë, nuk ekziston asnjë diplomë “katërvjeçare”. Kjo vlen vetëm për ata që kanë nisur shkollën pasi ka nisur zbatimin Karta e Bolonjës, çka nuk ka ndodhur me këta studentë. Këto argumente nuk bindën universitetet, të cilat vijuan të cilësojnë diplomat katërvjeçare si DIND; ashtu sikurse parashikonte ligji për konvertimin e të gjitha diplomave të dhëna përpara vitit 2008, kur nisi zbatimi i plotë i Kartës së Bolonjës. Ligji i arsimit të lartë parashikon vetëm diploma 3-vjeçare dhe 5-vjeçare, DNP dhe DND, ndërkohë një diplomë 4-vjeçare me 240 kredite nuk është parashikuar në këtë ligj, duke i konvertuar ato me DIND.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›