ENSP viziton ATSH, interes për arkivin fotografik dhe procesin e digjitalizimit

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Një delegacion nga École Nationale Supérieure de la Photographie (ENSP) zhvilloi një vizitë në ambientet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ku u njoh nga afër me arkivin fotografik të institucionit, gjatë një takimi me drejtoreshën e përgjithshme, Valbona Zhupa.
Delegacioni, i shoqëruar nga drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Lucian Bedeni, shprehu interes të veçantë për mënyrën e ruajtjes dhe konservimit të fondit fotografik të ATSH-së, duke e vlerësuar atë si një pasuri të rëndësishme dokumentare dhe historike.
Gjatë bashkëbisedimit, Zhupa theksoi se ATSH ndodhet aktualisht në një proces të avancuar digjitalizimi të arkivit, me synimin që shumë shpejt ky fond – një ndër tre arkivat më të rëndësishme fotografike në vend – të bëhet i aksesueshëm për publikun e gjerë.
Vizita në ATSH u zhvillua në kuadër të një qëndrimi pune në Shqipëri të përfaqësuesve të ENSP, të cilët më herët zhvilluan edhe një takim me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe diskutime me drejtues të institucioneve kulturore në vend.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është avancimi i një partneriteti të mundshëm mes ENSP dhe Muzeut “Marubi”, i cili synon të materializohet në nisma konkrete dhe afatgjata në fushën e fotografisë dhe edukimit artistik. Në fokus të këtij bashkëpunimi janë zhvillimi i programeve të rezidencës artistike, organizimi i ekspozitave të përbashkëta, shkëmbimet akademike si dhe ngritja e një laboratori fotografik analog si hapësirë për edukim, kërkim dhe krijimtari.
Ky bashkëpunim synon gjithashtu të fuqizojë të rinjtë dhe të zgjerojë dimensionin ndërkombëtar të institucioneve shqiptare të fotografisë, duke lidhur praktikën bashkëkohore me trashëgiminë kulturore.
1 nga 2