ERE-CEZ-it: Importo. Dollapi: Shlyem detyrimet. Ndërprerje debitorëve
Tiranë- Kompania CEZ Shpërndarje nuk ka importuar pasi duhej të shlyente detyrimet e prapambetura ndaj kompanive furnitore.
Gjatë një takimi me drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë, administratori i përgjithshëm i kompanisë së Shpërndarjes Sahit Dollapi, tha:
“Duke qenë se kompania ka patur detyrimet e vjetra kundrejt kompanive, ne kemi zbatuar një axhendë dhe një grafik të likujdimit, qoftë të detyrimeve të reja, qoftë të detyrimeve të vjetra dhe besoj që deri në fund të muajit korrik dhe fillimin e muajit gusht, të gjitha detyrimet e vjetra që ka kompania me kompanitë e tjera, me përjashtim të kompanisë ‘CEZ Group s.a’ do të shkojnë në likujdim, që na krijojnë ne mundësinë për rritje të konkurrencës për efekte financiare të uljes së çmimit”, u shpreh ai.
Por një nga komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë, Adriatik Bego e ka quajtur shqetësuese situatën ku CEZ-i sipas tij nuk po përmbush detyrimin ligjor të importit për të mbuluar humbjet.
“Eshtë një shqetësim që duhet të marrë zgjidhje nga ana e kompanisë, e cila duhet të marrë masat për mbulimin e plotë të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes”, tha Bego.
Ndërsa Dollapi tha se të ardhurat kanë ardhur në përmirësim që nga rikthimi i saj në administrim shtetëror. Ai përjashtoi muajin qershor, ku sipas tij, zgjedhjet kanë ulur arkëtimet dhe kanë rritur humbjet.
Ndërsa nga ana tjetër, specialistët e kompanisë CEZ Albania kanë ndërmarrë një askion në zonën “Rruga e Elbasanit”, ku kanë prerë lidhjet e debitorëve të energjisë me qëllim që konsumatorët që nuk e kanë paguar energjinë elektrike tju ndërpritet furnizimi.
Sipas Arben Kasapit, Drejtor i Njesisë 1 të CEZ, Tiranë, Të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë se do të furnizohen me energji vetëm ata abonentë që paguajnë rregullisht energjinë elektrike. Lidhjet e paligjshme janë duke u zeruar, por ka ende punë për t’u bërë.
“Në ditët në vazhdim do të jemi në zona të tjera të Tiranës duke u shtrirë në gjithë qytetin për të prerë të gjitha lidhjet e jashtligjshme dhe të gjitha abonentët që nuk paguajnë energjinë elektrike,- tha më tej ai.
Ndërsa aksioni për t’i ndërprerë energjinë debitorëve është shtrirë në gjithë vendin.