E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE, ikën Nepravishta, ja arsyet

Pa vajtur në gjysmën e mandatit të dytë, Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Procedura ligjore e do që shkarkimi të bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe emërimi bëhet me propozim të grupit përgjegjës dhe miratim të Kuvendit. Grupi përgjegjës përbëhet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe nga ministri përkatës, që në këtë rast është ministri i Energjetikës, Nasip Naçe. Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Jemin Gjana pohoi dje për gazetën “Mapo” se, Nepravishta e ka dhënë tashmë dorëheqjen dhe grupi përgjegjës do të propozojë kandidaturat e reja. Në përmbushje të detyrimeve ligjore, pohoi Gjana, grupi përgjegjës do të shqyrtojë kandidaturat dhe do të propozojë Kryetarin e ri, i cili zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe me një mandat 5- vjeçar. Mirëpo një rrugë më e shkurtër për shkarkimin e krerëve të enteve rregullatore, por edhe të institucioneve të tjera, është kërkimi i dorëheqjes, që duket të jetë aplikuar në këtë rast. Mirëpo arsyet e vërteta, pse Nepravishta dha dorëheqjen, kanë të bëjnë me shkaqe të tjera, që e kanë vështirësuar qëndrimin e tij në krye të institucionit, bëjnë të ditur burimet pranë ERE. Edhe pse ende nuk ka një motiv zyrtar, në lidhje me këtë shkarkim të papritur, jo zyrtarisht flitet se, motivi është i lidhur me vendimin e fundit të ERE për tarifat e energjisë, i cili penalizoi Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare, në favor të Operatorit privat të Sistemit të Shpërndarjes. Gjithashtu, përplasjet institucionale në lidhje me disa licencime për veprimtari në sektorin e energjetikës, duket të kenë qenë shkak. Në prag zgjedhjesh gjithmonë bëhen ndryshime, në krye të disa institucioneve, me qëllim të krijimit të suporteve të reja me qëllime elektorale. Ndër të gjitha këto arsye, shkarkimi ose dorëheqja, për shkak të çmimeve të reja të energjisë, është më pak e besueshme, për shkak se skema e uljes së tarifave të KESH ndaj CEZ ka qenë e servirur nga vetë qeveria, për të mbrojtur konsumatorët. Në vitin 2009, Nepravishtës iu u rikonfirmua për një mandat të dytë, të cilin e ka ndërprerë formalisht prej një javë pavarësisht se, vijon të drejtojë ERE deri në emërimin e një Kryetari të ri, për të cilin vendos Kuvendi. Bujar Nepravishta, Kryetar i Bordit të Komisionerëve të ERE, është emëruar në krye të ERE më 19 qershor të vitit 2006 dhe riemërohet me cilësinë e kryetarit të Bordit të Komisionerëve, me datë 5 shkurt të vitit 2009. Shkarkimi i Kryetarit të ERE bëhet nga Këshilli i Ministrave, ndërsa emërimi i tyre bëhet nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të grupit përzgjedhës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›