Malaj: Jam kundër mënyrës si po zgjidhen kandidatët e PS
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, është kundër mënyrës sesi po përzgjidhen kandidaturat për bashkitë dhe komunat. Ai gjykon se pushteti i rritur i deputetëve në këtë përzgjedhje nuk është me vend përsa kohë në zgjedhjet vendore është anëtarësia e PS-së që njeh më mirë kandidatët. Malaj gjykon se të dielën e 8 majit, në listat e PS-së duhet të kishte më shumë emra të rinj dhe më shumë hapësirë për konkurrencë, duke nënkuptuar kështu se edhe vetë Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për herë të katër për Tiranën.
Z.Malaj, më 21 janar, protesta e opozitës u shndërrua në një sulm të dhunshëm ndaj Kryeministrisë, ndërsa në bulevard mbetën të vrarë 4 qytetarë. Veprime këto që sollën një ashpërsim të situatës politike dhe akuza të ndërjesllta mes palëve. Tashmë një muaj pas, kur dhe mund të gjykohet më ftohtë, cili është komenti juaj për këtë ngjarje dhe ishte për ju një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, siç edhe pretendon mazhoranca?
Ndjehemi keq, që akoma Kryeministri nuk ka informuar Kuvendin për këtë ngjarje të dhimbshme. Ndoshta e ka të vështirë të gjejë alibi për vrasjen dhe plagosjen e protestuesve të pafajshëm, por edhe përgjegjësinë për plagosjen e forcave të rendit, të cilat meritojnë më shumë mbështetje me fonde dhe logjistikë sesa koncertet festive kundër puçistëve.
Që prej atëherë, opozita ka vendosur të vazhdojë protestat, duke i mëshuar gjithnjë e më fortë idesë për të pasur zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se faktori ndërkombëtar është shprehur hapur kundër. Cili është vlerësimi juaj për protestat dhe sa të mundshme i shikoni zgjedhjet e parakohshme?
Duke mirëkuptuar çdo shqetësim të publikut të vendit tim dhe të ndërkombëtarëve, për kostot që ka krijuar kjo situatë krize politike, vlerësoj se protestat paqësore i shërbejnë demokratizimit të vendit. Çdo investim qeveritar për të përçmuar, denigruar dhe ndoshta ndaluar protesta paqësore, është një dështim konkret i maxhorancës, për të nxjerrë vendin nga kriza e rëndë politike dhe një dëshmi e qartë e mentalitetit arrogant, që po sundon gjithnjë e më shumë maxhorancën. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme, vlerësoj se ato duhet të vijnë si ndjenjë e përgjegjshmërisë së forcave kryesore në vend, për ta nxjerrë nga kriza e rëndë politike. Zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të vijnë si matje e forcave, por si bashkim i përgjegjësive. N.q.s kjo nuk arrihet, rrezikojmë që zgjidhjet e parakohshme të mos jenë zgjidhje për krizën e vendit, por një palë zgjedhje të parakohshme në radhën e krizave të përhershme politike. Jo, zgjedhje të parakohshme se nuk i besojmë njëri-tjetrit, jo zgjedhje të parakohshme se kemi frikë nga njëri-tjetri, por reforma të rëndësishme kushtetuese, elektorale dhe administrative, të cilat duhet të rrisin dhe garantojnë më mirë se deri sot liritë tona politike, liritë ekonomike, që të reduktojnë përsëritjen e krizave politike, ekonomike e sociale.
Paralelisht opozita ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj maxhorancës, duke rikonfirmuar qëndrimin e saj bojkotues ndaj Kuvendit, në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe duke mbajtur një qëndrim aspak të qartë përsa i përket seancave plenare. Ju keni qenë dhe më parë kundër kushtëzimit të marrëdhënieve me Kuvendin, tashmë pas këtyre ngjarjeve, a është i justifikuar ky qëndrim i PS-së?
I përmbahem vlerësimit se ne duhet të përmbushim jo thjesht detyrimin personal si deputet, por misionin si opozita e vendit tonë. Ka një dallim thelbësor midis detyrimit dhe misionit, ndaj ne duhet ta përmirësojmë efikasitetin tonë parlamentar, duke u fokusuar në sfidat reale të vendit. Duket qartë se maxhoranca e dëshiron dhe e provokon radikalizimin e opozitës, për ne kjo duhet të jetë një argument më shumë për përgjegjshmërinë tonë. Radikalizimi i maxhorancës, keqpërdorimi i pushteteve të saj, rritja e korrupsionit dhe kapja e shtetit, nuk dalin qartësisht në pah n.q.s opozita braktis parlamentin. Pasojat e keqqeverisjes bëhen më të qarta, nëpërmjet debatit dhe kontrollit parlamentar. Mbështetja për hetim të vrasjeve në protesta, mund të debatohen më qartë dhe fort me argumente në parlament. Mitingjet paqësore dhe konferencat e shtypit janë të domosdoshme, janë instrumente konkretë të opozitës parlamentare, por misioni i opozitës mund të arrihet më mirë në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me qeverinë dhe maxhorancën parlamentare, pikërisht në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Si e shihni zgjidhjen për të dalë nga gjithë kjo situatë e krijuar, pasi palët vijojnë të qëndrojnë të palëvizura në pozicionet e tyre. A është e mundshme arritja e një marrëveshje politike?
Pas rreth 20 vjet eksperience të drejtpërdrejtë politike dhe pas shumë përvojave të situatave politike të vështira, jam i bindur që gjithmonë mund të gjendet një zgjidhje. Problemi qëndron sa vonë ajo do të arrihet, sa shumë vonesa e zgjidhjes do të dëmtojë ambientin tonë politik, ekonomik dhe social? Sa shumë ajo mund të cenojë kredibilitetin e zgjedhjeve vendore, dhe a do të synojmë të kemi zgjidhje që redukton burimin e krizave, apo një zgjidhje që thjesht kalon krizën e radhës?
Krahas këtyre çështjeve, PS është shprehur se nuk mund të ketë zgjedhje lokale në këto kushte, por duke përjashtuar mundësinë e mospjesëmarrjes në to. Si anëtar i kryesisë dhe i forumeve të tjera të larta të PS-së, çfarë nënkupton kjo forcë, kur thotë s’mund të ketë zgjedhje lokale në këto kushte, shtyrjen e tyre?
Partia Socialiste ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, se nuk do t’i bojkotojë ato, dhe ka paraqitur propozime shumë konkrete. Në të kaluarën, për të respektuar shqetësimet e opozitës, ne kemi ndryshuar KQZ dhe Kodin Elektorale edhe afër zgjedhjeve. Të kërkosh më shumë garanci për çdo element të zgjedhjeve vendore dhe parlamentare, është detyrim për çdo opozitë. Të argumentosh mosbesimin ndaj KQZ-së apo elementëve thelbësore të procesit zgjedhor është detyrim i çdo opozite. T’i paraqesësh kërkesat dhe opsionet konkrete për çdo përmirësim, është njëkohësisht detyrë e opozitës. Këto detyrime duhet të shoqërohen me angazhime konkrete aktive.
Pavarësisht këtij qëndrimi, PS ka nisur përgatitjet për këto zgjedhje, përfshi këtu edhe seleksionimin e kandidatëve për krerë të njësive vendore. Deputetët e PS-së dhe krerët lokal të partisë janë ngarkuar të sjellin në qendër kandidaturat e mundshme. A është kjo rruga e duhur që duhet ndjekur, për të nxjerrë kandidatin e duhur dhe ju personalisht, a keni sjellë ndonjë emër në qendër për bashkinë dhe komunat e Vlorës?
Në karrierën time politike kam respektuar një parim të rëndësishëm, anëtarët edhe mbështetësit e PS në njësitë vendore, janë mundësia më e mirë, më e drejtpërdrejtë, për të njohur dhe propozuar më të mirët për qeverisjen vendore. Përzgjedhja duhet të jetë një proces transparent, një proces me sa më shumë hapësira për konkurrencë. Demokracia moderne kërkon pjesëmarrje sa më të madhe të komuniteteve që përzgjedhin dhe votojnë drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit e tyre politikë. Jam kundër çdo alibie, për të reduktuar apo përjashtuar pjesëmarrjen e anëtarësisë të PS-së në nivel vendor, për të përzgjedhur kandidaturat. Jam kundër çdo pushteti të rritur të deputetëve, për të qenë ata që mund të përzgjedhin më mirë kandidatët konkretë. Kam qartësuar këtë qëndrim edhe në strukturat e PS. Nuk do të vendos kush duhet të jetë emri konkret kandidat, për komuna dhe bashki, as në qarkun e Vlorës dhe as në qytetet e tjera. Do të mbështes dhe punoj 24 orë për kandidatët e PS në zgjedhjet vendore, të cilat duhet të përzgjidhen nga një proces sa më demokratik dhe sa më transparent brenda PS-së.
Zoti Malaj, nga ky proces kanë dalë dhe disa emra të parë, ku bien në sy një sërë krerësh bashkiakë, që kërkojnë të rikandidojnë për herë të tretë, ose të katërt. Sa e rrezikshme do ishte një gjë e tillë, kur dihet tashmë se të qënurit për një kohë të gjatë në pushtet, të konsumon dhe si e komentoni opinionin e përhapur se këta kryebashkiakë, do apo s’do PS-ja, në qendër do të kandidojnë?
Gjithkush meriton vlerësim dhe mbështetje për punën e bërë. Ka shumë prej tyre që kanë punuar shumë mirë. PS duhet të krijojë më shumë hapësira për një konkurrencë në rritje në strukturat partiake dhe në përfaqësimet politike në nivel vendor dhe qendror. Zgjedhjet vendore dhe parlamentare janë një mundësi shumë e mirë edhe për të inspiruar dhe mbështetur edhe të rinj. Këto janë momente shumë të mira për të krijuar procese rigjeneruese, siç ndodh me çdo organizëm dinamik.
Ndërkohë, kreu i PS-se, Edi Rama ka lënë te kuptohet se ka hequr dorë nga rikandidimi për herë të katërt në postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. A mendoni se një tërheqje e mundshme e Ramës i shton apo i pakëson shanset për fitore dhe cilin shihni si një kandidaturë të mundshme, për ta pasuar në këtë pozicion?
Qartësova disa nga mendimet për parimet dhe hapat konkretë të kritereve dhe proceseve seleksionuese të kandidateve potencialë të PS në këto zgjedhje. Shpresoj shumë, brenda tyre të gjendet sado pak edhe përgjigjja e pyetjes tuaj specifike.
Një pyetje të fundit. Në PS vijojnë të jenë ende të pranishëm zërat kundër vijës politike që ndjek lidershipi i kësaj partie. Sa funksionale është demokracia në PS?
Përmirësimi i standardeve demokratike të funksionimit të çdo force politike, apo të çdo vendi, janë procese jostatike. Ato duhet të përmirësohen vazhdimisht. Disa nga eksperiencat më të mira qartësojnë se demokracia është më e plotë dhe më efektive, kur ka fleksibilitet në debatet midis dhe brenda forcave politike, kur ekipet bazohen te meritokracia, kur transparenca konsiderohet aleati më i mirë për mirëqeverisjen, kur bëhet një ndarje më e mirë e pushteteve edhe brenda forcave politike, kur qartësisht dhe vendosmërisht luftohet nepotizmi, kur nuk përqendrohet shumë pushtet në pak duar në nivel vendor, apo qendror. Ndaj kur ne ishim në pushtet, kemi pasur parime organizimi të PS, p.sh në kryesi nuk duhet të kishte më shumë se 50% anëtarë qeverie, kur ndalohej që deputetët të ishin edhe kryetarë partie, kur procesi i përzgjedhjes së kandidatëve drejtues bëhej nga anëtarësia. Partia Socialiste arriti deri në aplikimin e parimit, një anëtar një votë. Moszbatimi i parimeve themelore të funksionimit demokratik të forcave politike, çdo përkeqësim i tyre, rrezikon të gërryejë demokracinë e brendshme. Pa modernizimin e partive politike, është e pamundur të modernizojmë qeverisjen e vendit tonë.