Legalizimi në bregdet, të interesuarit do paguajnë 100% të shumës
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese është përpjekur t’i japë fund ngërçit që mban mbërthyer përfundimin e procesit të legalizimit të zonave me përparësi turizmin. Pas diskutimeve për ndryshimet në ligjin në fjalë, projektligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës. Ndryshimet në projektligj parashikojnë që subjektet e interesuar që kanë marrë tashmë faturat financiare dhe janë të gatshme të paguajnë, përveç 80% të shumës që duhet të paguanin, sipas ligjit të mëparshëm, kanë të drejtë të paguajnë edhe 20%, që po me ligjin e mëparshëm ngarkohej ta paguante personi i stimuluar. Sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t, në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u shpreh se subjektet e interesuar, të cilët kanë marrë faturat financiare, kanë shprehur gatishmërinë edhe për të paguar 20%, që në këtë mënyrë të përfundojnë procesin e legalizimit. “Ata që kanë blerë vila në fshatrat turistikë, janë me qindra. Njerëz të pushtetshëm, ose njerëz të medias ose jo. Ne duam ta mbyllim këtë proces“, - u shpreh kreu i komisionit, Jemin Gjana. Duke iu referuar të dhënave nga ALUIZNI, aktualisht kanë filluar tre zonat e para të legalizohen. Ndërsa deputeti demokrat Sybi Hida ka kërkuar që personave të stimuluar të mos i hiqet barra e pagesës së 20%, kurdo që të gjendet. Ndërsa deputeti socialist, Ilir Beqja u shpreh se situata aktuale është një sëmundje kronike e maxhorancës aktuale. Sipas tij, projektligji ka përsëritje të panevojshme, që nuk i japin zgjidhje procesit dhe ligjërisht që nga 2007 subjektet e interesuar dhe të stimuluarit nuk kanë të drejtë detyrimesh. Ai theksoi se projekti është i mangët, pavarësisht dëshirës së mirë. Opozita votoi kundër ndryshimet në projektligj, duke theksuar se asnjë ndryshim nuk mund ta zgjidhë ngërçin e këtij procesi.