ESTONI – Riga: Roja kufitare ruse kaluan në territorin tonë

RIGA, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Disa roja kufitare ruse kaluan sot në mënyrë të paligjshme në territorin e Estonisë, njoftoi Ministria e Jashtme e Estonisë.
Ministria tha se oficerët kaluan linjën e kontrollit midis Estonisë dhe Rusisë mbi një mol në lumin Narva.
Ata mbërritën në vendngjarje me një mjet lundrues, vazhduan në këmbë përgjatë barrierës së lumit dhe më vonë u kthyen në automjetin e tyre dhe kaluan përsëri në anën ruse.
Ministria publikoi pamje video të regjistruara nga një kamera mbikëqyrjeje që tha se dokumentuan incidentin, i cili ndodhi pranë fshatit Vasknarva.
Ministri i Brendshëm estonez Igor Taro tha se motivet e rojave kufitare ruse ishin të paqarta.
“Nuk kishte kërcënim të menjëhershëm për sigurinë, por policia dhe rojat kufitare kanë rritur ndjeshëm praninë dhe patrullat e tyre”, tha ai sot në televizionin estonez.
Sipas njoftime të medieve, rojat kufitare qëndruan në territorin estonez për rreth 20 minuta.
Nuk u dha asnjë njoftim paraprak.
Estonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, thirri të ngarkuarin me pune të ambasadës ruse në Tallinn dhe i dorëzoi një notë diplomatike.
”Ne kemi rritur survejimin në rajon dhe jemi të gatshëm të reagojmë”, tha ministri i Jashtëm Margus Tsahkna.
”Përgjigjja më e mirë ndaj testimit të kufijve nga Rusia është të vazhdohet mbështetja për Ukrainën dhe të rritet presioni politik dhe ekonomik mbi Moskën”, shtoi ai./ /Ad.Ab./