E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX Klecka te kthehet per rigjykim

Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si Komandant Çeliku dhe tre ish-pjestarë të UÇK-së kanë dalë të martën para trupit gjykues në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Prokuroria e EULEX-it ka paraqitur një ankesë kundër aktgjykimit të rastit “Kleçka” nga Gjykata e Qarkut, përmes të cilit Limaj dhe 9 ish-pjestarë të UÇK-së ishin shpallur të pafajshëm nga akuzat për krime lufte.

Prokurori ka kërkuar që çështja “Kleçka” të kthehet për rigjykim dhe të merren parasysh dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”, të cilat u hodhën poshtë nga shkalla e parë.

Në Supreme janë paraqitur vetëm Fatmir Limaj, Naser Shala dhe Nexhmi e Naser Krasniqi, pasi për 6 të tjerët prokuroria e EULEX-it nuk ka paraqitur ankesë.

Mbrojtja e Limajt dhe e ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së pret që Supremja të rikonfirmojë vendimin e shkallës së parë dhe të mbyllë këtë rast.

“Besoj se kolegji i Gjykatës Supreme do ta refuzojë ankesën e prokurorit, sepse ne kemi ofruar prova të mjaftueshme se kërkesa e prokurorisë është e pabazuar. Ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë duhet të merret për bazë”, ka thënë Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limaj.

Gjatë pjesës së parë të seancës, prokuroria e EULEX-it ka kërkuar nga Supremja që, nëse vendoset që rasti të kthehet prapa dhe ditari i “Dëshmitarit X” të pranohet si dëshmi, të caktohet masa e paraburgimit për Fatmir Limajn, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin dhe Naser Shalën.

Mbrotja e ka konsideruar absurde një kërkesë të tillë, duke thënë se nuk ka kurrfarë bazë ligjore që të ndodhë një gjë e tillë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›