E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Përkrahim protestat e qeta, jo vandalizmat

EULEX-i ka dënuar rastin e përdhosjes së varrezave ortodokse në Kllokot dhe në Prizren, pas largimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.

“Protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për të u dënuar. EULEX-i u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

“Policia dhe prokurorët e EULEX-it janë duke vëzhguar nga afër situatën dhe duke bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. EULEX-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe të mbështesë institucionet vendore të sundimit të ligjit nëse është e nevojshme”, përfundon komunikata./Indeksonline/
....

Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren dënon rëndë dëmtimin e rreth 35 varrezave ortodokse në Prizren.

“Demolimi dhe dëmtimi i varrezave ortodokse serbe, ka krijuar shqetësim tek insitutcionet dhe të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve në Prizren, duke ditur tolerancën e marrëdhëniet shumë të mira ndëretnike në Komunën tonë. Andaj, Qendra Rajonale e KMDLNJ-së kërkon që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë dhe ky akt i shëmtuar të zbardhet sa më parë”, thuhet në njoftimin e QR KMDLNJ në Prizren.

Ndërkohë që Hasan Hasani, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren ka thënë se shumë shpejt varrezat do të rregullohen, duke kërkuar që ky akt të mos përsëritet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›