EULEX, akuza për korrupsion shefit të PTK-së
Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë bëri të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave në lidhje me një licencë të telekomunikacionit.
Në një njoftim të Eulex-it thuhet se aktakuzat kanë të bëjnë me çështjet financiare dhe korrupsionit, lidhur me një licencë të telekomunikimit. Në qendër të hetimit është bartja e një licencë e telekomunikimit të një operatori për rrjetin mobil virtual në vitin 2007 2008, ndërmjet kompanisë private Dardafon dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, që dyshohet se është bërë në mënyrë të paligjshme.
Në mesin e pesë personave të akuzuar gjendet edhe shefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës Shyqri Haxha dhe Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, të cilët akuzohen për lidhjen e kontratave të dëmshme, shpërdorimin e pozitës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.
Ndërsa tre të akuzuarit e tjerë akuzohen për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim i besimit, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.
Këto akuza ndodhin në një periudhë të përgatitjeve të autoriteteve për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës në përpjekje për të nxitur investimet e huaja aq të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.(VOA)