E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i dhe PK në ndjekje të bombahedhësve në veri

Shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX, Bernd Borchardt, u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të Mitrovicës që të bashkëpunojnë me EULEX-in në zbulimin e autorëve të sulmeve me bomba në këtë zonë, ku serbët përbëjnë shumicën. Duke folur për mediat serbe, Borchardt ka thënë se EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë policore në veri, shkruan RTK.

“Çdo natë, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, aplikojmë kontrollin e automjeteve të caktuara dhe marrim në pyetje individë të ndryshëm. Po ashtu, ofrojmë mbështetje dhe bashkëpunojmë me policinë në hetimet që janë duke u zhvilluar”, ka thënë kreu i EULEX-it.

Sipas tij, qytetarëve në veri të Kosovës u janë shpërndarë fletushka, si dhe janë bërë njoftime përmes mediave, se roli i misionit evropian në zgjidhjen e problemeve në veri do të rritet dukshëm. Veriu i Kosovës, në kohën e fundit, është tronditur nga shpërthime të shpeshta, të cilat kanë pasur në shënjestër prona të individëve të caktuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›