EULEX-i i mbledh “plaçkat”

Qeveria e Kosovës përfundimisht ka hartuar një strategji, sipas së cilës brenda dhjetë muajsh EULEX-it do t’i bartë “plaçkat” nga Kosova. Megjithatë, ky mision duket se do t’i lë disa “relikte” në Kosovë, siç është Task Forc Speciale (SITF), e cila është duke hetuar pretendimet e raportuesit Dick Marty. Kjo Task-Forcë madje do të qëndrojë në Kosovë për aq sa ka “çka të hetojë e çka të gjykojë” ndërsa Qeveria zotohet se do ta ndihmojë atë për një funksionim sa më të mirë, shkruan Zëri.
Sipas planit qeveritar, misioni i EULEX-it do të punojë sipas mandatit aktual deri në qershor të vitit 2014 çka i bie se i kanë mbetur vetëm edhe dhjetë muaj. Deri në këtë kohë, qeveria pret që EULEX do t’i kryejë disa detyra, për të cilat është i thirrur, derisa punët që mbesin pa u kryer do të mbesin në duar të institucioneve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, sipas strategjisë një kopje të së cilës e posedon gazeta, do të ndihmojë misionin EULEX në fazën e transicionit e cila do të përfundojë në qershor të 2014-tës. Institucionet e Kosovës, sipas planit, do të marrin pas qershorit të vitit lëndët civile që gjenden nëpër gjykata, ato të privatizimit, policinë kufitare, shërbimin doganor, kompetencat në Këshill gjyqësor e prokurorial, departamentin e mjekësisë ligjore, kompetencat në Prokurorinë Speciale dhe ato të policisë hetuese që e ndihmon këtë prokurori, kompetencat në hetimin e korrupsionit e të krimit të organizuar, mbrojtjen e dëshmitarëve, rastet e krimeve të luftës por edhe të tjerë sektorë ku është i përfshirë EULEX. Në tërë këto fusha, EULEX sipas planit qeveritar, do të përfundojë mandatin deri në qershorin e vitit tjetër, derisa i vetmi mekanizëm që do të vazhdojë së punuari pavarësisht përfundimit të mandatit të EULEX-it është Task Forca Speciale e cila po heton pretendimet e raportit të Dick Martyt.
“Ashtu siç është thënë më herët nga Qeveria e Kosovës gjatë negociatave të mëhershme rreth mandatit të EULEX-it, SITF duhet të vazhdojë shkëputjen graduale nga mandati i përgjithshëm i EULEX-it. SITF duhet të jetë në gjendje që të vazhdojë punën deri në një periudhë të pacaktuar kur të përfundojnë hetimet dhe gjykimet që mund të jenë”, thuhet në planin e qeverisë.
Përfundimi i mandatit të EULEX-it, sipas strategjisë, nuk duhet të ndikojë në punën e kësaj njësie derisa Qeveria e Kosovës premton se do të jetë e përkushtuar që të ofrojë ndihmën e nevojshme për funksionimin e saj.
Por ndryshe nga SITF, Zyra e Prokurorisë Speciale që është e thirrur të hetojë rastet më të rënda në vend e që vazhdon të udhëhiqet nga prokurorë evropianë, deri në 2014-ten parashihet që të kaloj në duar të vendorëve. Deri në qershor të 2014-tes, pritet që të rritet numri i prokurorëve vendës në këtë prokurori në mënyrë që deri në përfundim të mandatit të EULEX-it, kjo prokurori të jetë e fuqishme të merret me rastet për çka është e thirrur.
Edhe rastet e korrupsionit dhe ato të krimit të organizuar, sipas qeverisë së Kosovës do të merren në duar të vendorëve.
“Qeveria e Kosovës nënvizon se derisa paketa e ligjeve antikorrupsion është pranë finalizimit, përkrahja në këtë drejtim nuk do të jetë e nevojshme pas qershorit të 2014-tes”, thuhet në planin e qeverisë.
Sa u përket hetimeve dhe ndjekjeve të rasteve të krimeve të luftës, Qeveria e Kosovës e inkurajon misionin EULEX që të jetë i përkushtuar dhe të përfundojë rastet sa më shpejt ngase sipas qeverisë, përfundimi i këtyre rasteve e ndihmon procesin e pajtimit. Sido që të jetë, pas qershorit të 2014-tes qeveria zotohet se institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të ballafaqohen me këto raste. /Zëri/