E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX’i nuk ka qenë i njoftuar për vizitën e Koshtunicës

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit ka bërë të ditur sot se vizita e kryetarit të Partisë Demokratike të Serbisë, Voisllav Koshtunica nuk ka qenë e lajmëruar. Zëdhënësja e EULEX-it Kristiana Herodes ka thënë se Koshtunica megjithatë nuk e ka njoftuar EULEX-in për vizitën e tij në Kosovë.

“EULEX nuk është përgjegjës për të dhënë leje për vizita. Ekzistojnë procedura dhe autorizime për këtë çështje. Në këtë rast kjo vizitë nuk i është adresuar dhe EULEX nuk ka qenë i njoftuar për këtë vizitë. Ne ju rekomandojmë zyrtarëve serbë që në rastin e vizitave zyrtare që të përfillin procedurat”, ka thënë Herodes, transmeton RTK.

Kreu i policisë së Kosovës Behar Selimi ndërkohë i ka thënë Radio Kosovës se do të kërkojnë përfundimisht nga EULEX-i qartësimin e çështjes së vizitave ilegale të zyrtarëve serbë në Kosovë. Ndërsa opozita e ka quajtur këtë edhe një dështim të qeverisë për të mbrojtur sovranitetin e vendit.

“Ne do të kërkojmë nga kolegët tanë të EULEX-it që niveli i komunikimit të jetë në një formë më të mirë dhe në të ardhmen të njoftohem kush po futet në Kosovë. Gjithashtu do t’ua përsërisim për të satën herë që duhet të respektohet ligji dhe kontrolli kufitar i Kosovës dhe ligji për të huajt”, ka thënë Selimi.

Haradinaj: Intervista e ministrit Rexhepi ishte për gjynah

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me cinizëm e ka përshëndetur një intervistë të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, duke e konsideruar atë si një deklaratë që e vë autoritetin e Prishtinës në nivelin më të ulët të mundshëm karshi zhvillimeve në pjesën veriore të vendit.

Duke komentuar hyrjen e ish- kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunica në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Prishtinës zyrtare, Haradinaj ka thënë se do duhej që edhe kryeministri i Kosovës ose ndonjë zyrtar tjetër ta vizitojë atë pjesë të Kosovës, përderisa thuhet se është vend i hapur për të gjithë.

Haradinajt i është dukur e palogjikshme deklarata e ministrit Rexhepi, i cili ka thënë se Prishtina kujdeset që të mos bëjë ndonjë incident.

“E përshëndes ministrin e Rendit, Bajram Rexhepin. E pash një intervistë dje të tij, thënë të drejtën, për gjynah. Mbajeni mend çfarë po ju them. Ministri thotë ne po ruhemi që të mos bëjmë incidente. Po incident janë mbajtja e zgjedhjeve. Incident është hyrja jashtë ligjit e këtyre njerëzve këtu. Nuk ka lezet kështu të bihet kaq ulët, thuajse je në faj ti. Ti duhet të ruhesh që të mos bëhen incidente në veri, e ata le të bëjnë çka të duan. S’ka logjikë kjo. Dijeni se dëmi për Kosovën është tejet i madh nga kjo sjellje si në faj”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Sipas kreut të AAK-së, nuk mund të fajësohet EULEX-i për vizita të tilla, sikur që është ajo e Koshtunicës, ngase për ndalimin e këtyre vizitave duhet të ketë një fletëndalim që u ndalon hyrjen në territorin e Kosovës atyre njerëzve që vijnë dhe përçojnë mesazhe, bartin simbole apo zhvillojnë aktivitete që janë në kundërshtim me juridiksionin e Republikës së Kosovës.

“Ministri i Rendit, kryeministri, institucionet e vendit, Parlamenti mund t’i shpallin të padëshiruar disa njerëz, jo ata që nuk japin mesazhe, se edhe ne jemi vend i hapur, por të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me juridiksionin e vendit. Duhet të lëshohet një fletëndalesë, pastaj kush nuk e zbaton këtë fletëndalesë jep përgjigjen e vetë. Në rast se nuk ka një fletëndalesë nga Prishtina zyrtare, nuk ka pse EULEX-i të ndalojë dikë”, është shprehur Haradinaj.

LDD: Hyrja e udhëheqësve serbë në Kosovë, destabilizon vendin

Lidhja Demokratike e Dardanisë ka bërë të ditur se nuk mbështet në asnjë mënyrë tjetërsimin e aseteve të Republikës së Kosovës “në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”.

Në mbledhjen e Kryesisë të LDD-së, të udhëhequr nga kryetari i kësaj partie, Nexhat Daci, po ashtu është shprehur shqetësimi lidhur me ardhjen e udhëheqësve të Serbisë në Republikën e Kosovës, vizita të cilat – sipas LDD-së – kanë qëllime politike për të destabilizuar situatën në vend.

LDD po ashtu ka kërkuar nga institucionet e vendit që të respektohet ligjshmëria dhe kushtetutshmëria për të gjitha proceset në vend.

Reagon edhe AKR

AKR-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përdorë të gjithë mekanizmat e saj institucional demokratik për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe dhe të mos mjaftohet vetëm me shpalljen e tyre si të pavlefshme.
Gjithashtu Aleanca Kosova e Re, shpreh indinjatë të thellë ndaj apatisë së institucioneve ndërkombëtare dhe vendore në raport me vizitat e zhvilluara nga politikanët serb në veri të Mitrovicës.

“Këto vizita, i konsiderojmë si shkelje të rëndë të sovranitetit të Kosovës dhe paqëndrueshmëri të çfarëdo zbatimi të strategjisë për Veriun. Kjo sjellje, seriozisht do të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, që do të ishte një dështim i rëndë për vendin tonë. I bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë së Kosovës të marrë masa të menjëhershme ndaj të gjitha veprimeve që po ndërmerr Serbia në dëm të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AKR’së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›