E Enjte, 5 Nëntor 2026

EURO2024 – Roberto Baggio grabitet në vilën e tij gjatë ndeshjes Itali-Spanjë

TIRANË, 21 qershor /ATSH/- Një bandë prej të paktën pesë personash, të gjithë të armatosur, kanë hyrë në shtëpinë e Roberto Baggio në Altavilla Vicentina, sipas “Corriere Della Sera”.

Mbrëmjen e djeshme – gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian Itali-Spanjë – persona të armatosur kanë grabitur vilën e tij në Altavilla Vicentina.

Rreth orës 22:00, një bandë prej të paktën pesë personash, të gjithë të armatosur, hynë në banesë.

Baggio u përpoq të ndalonte kriminelët, por njëri nga grabitësit e goditi atë në ballë me kondakun e armës, duke i shkaktuar një plagë.

Më pas ai dhe familja e tij u mbyllën në një dhomë.

Ndërkohë grabitësit e kanë kthyer përmbys vilën duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para.

Një makth që zgjati të paktën 40 minuta. Kur banda doli nga shtëpia, ish-futbollisti ka thyer derën dhe ka lajmëruar policinë.

Për momentin nuk është ende e mundur të përcaktohet vlera e grabitjes.

Baggio u mjekua për plagën në ballë në spitalin Arzignano, ku mori disa qepje.

Megjithatë, asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk u lëndua, për ta ishte vetëm një frikë e madhe.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›