E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecin bashkë

Një javë pasi e zgjodhën Presidenten konsensuale, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli kanë bërë lëvizjen e radhës. Grupet parlamentare janë takuar të mërkurën dhe javën e ardhshme Parlamenti zyrtarizon komisionet për zbatimin e pikave tjera të marrëveshjes së arritur në Ambasadën Amerikane. Nga ky moment rrjedh afati kohor drejt zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare Nga Valmir Klaiqi më 15 prill 2011 në ora 08:08

Një javë pas arritjes së Marrëveshjes mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, me të cilën vendi doli nga kriza dhe u evituan zgjedhjet e parakohshme, kanë filluar përgatitjet për zbatimin e pikave tjera të këtij memorandumi.

Pjesa e parë e marrëveshjes është zbatuar të enjten e kaluar, me zgjedhjen e Atifete Jahjagës Presidente të Kosovës.

Tani grupet parlamentare do të merren me dy çështje të rëndësishme, për të cilat tre liderët janë pajtuar me ndihmën e Ambasadorit amerikan, Christopher Dell.
Duhet të krijohen dy komisione. I pari ka për detyrë të merret me reformën e zgjedhjeve presidenciale, të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe akte tjera ligjore të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Ndërkaq, Komisioni i dytë parlamentar do të merret me reformën e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Me këtë synohet që për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme Kosova të ndahet në disa zona zgjedhore.

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë themelimin e të dyja komisioneve, në seancën që mbahet javën e ardhshme. Nga momenti i votimit fillon të rrjedhë afati kohor drejt mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të përgjithshme.
Përgatitja e legjislacionit, që do të mundësojë zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm me votim të drejtpërdrejtë të qytetarëve, është paraparë të kryhet prej 6 deri në 9 muaj nga dita e themelimit të Komisionit.

Kjo nënkupton që zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ndërsa zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në vjeshtë të vitit 2013, sipas të gjitha gjasave, njëkohësisht me zgjedhjet komunale.

Njëri nga tre nënshkruesit e Marrëveshjes, lideri i LDK’së, Isa Mustafa, është i interesuar që të mos ketë asnjë vonesë për zbatimin e reformave dhe respektimin e afateve kohore.

Mustafa ka autorizuar Shefin e Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, që të ftojë në takim partitë tjera për të iniciuar themelimin e dy komisioneve.

Beqiri ka folur për Express rreth rezultatit të takimit të parë, që është mbajtur të mërkurën.

“Unë kam dalë me një draft-propozim para kolegëve të mi në takimin që e kemi pasur, ku kanë qenë prezentë përfaqësuesit e gjitha grupeve parlamentare”, ka thënë ai.
Beqiri tha se të gjitha grupet politike janë pajtuar që komisionet t’i kenë nga 9 anëtarë, secili prej tyre deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Në strukturën e këtyre komisioneve, nga dy anëtarë do t’i kenë PDK’ja dhe LDK’ja, ndërsa grupet tjera parlamentare nga një anëtar”, ka thënë Beqiri.

Komisioni për zgjedhje presidenciale do të udhëhiqet nga një deputet i PDK’së, ndërkaq ai për zgjedhjet e përgjithshme nga një deputet i LDK’së.

“Ajo që është e rëndësishme, të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare në këtë takim janë pajtuar me këto propozime, me përjashtim të përfaqësueses së Lëvizjes Vetëvendosje, që letrën që e kemi nënshkruar të gjithë, nuk e ka nënshkruar. Kjo nuk do të thotë që ata janë kundër sepse edhe Vetëvendosje ka qenë për ndryshimet kushtetuese”, ka sqaruar Beqiri.

Nga ana tjetër, Ibrahim Makolli, Shef i Grupit Parlamentar të AKR’së, ka konfirmuar mbajtjen e takimit të përfaqësuesve të grupeve parlamentare për formimin e dy komisioneve, si rezultat i Rezolutës së miratuar nga Parlamenti.

“Në këtë takim është vendosur që secili grup parlamentar të dërgojë emrat e anëtarëve në komisione. Ka mbetur po ashtu që propozimet tona t’i dorëzohen Kryesisë së Kuvendit dhe të kërkohet nga ajo që ta renditë këtë çështje në seancën e ardhshme për ta marrë miratimin e Kuvendit”, ka thënë Makolli.

Ai pret që emrat e anëtarëve të komisioneve do të procedohen në Kryesi të Kuvendit të hënën.

“Në momentin që komisionet miratohen në Kuvend, fillon rrjedhja e afatit të paraparë me rezolutë për ndryshimet kushtetuese”, tha ai.

Sipas Makollit, në momentin e zyrtarizimit të dy komisioneve, ato do të krijojnë pastaj edhe grupe punuese, ku do të përfshihet shoqëria civile dhe grupe të interesit për këto çështje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›