E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndahet Parlamenti, zgjedhjet e parakohshme në qershor

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 23:04

Deputetët votuan para pak çasteve shpërndarjen e Parlamentit të Maqedonisë, duke i dhënë fund përbërjes së deritanishme parlamentare, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për vendimin për shpërndarjen e Parlamentit votuan 79 deputetë nga gjithsejtë 120 deputetë. Në këtë seancë të 149 përveç deputetëve të maxhorancës BDI dhe VMRO-DPMNE, kanë marrë pjesë edhe deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Demokracisë së Re (DR), Partisë Liberal Demokrate (PLD), por jo edhe deputetët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe disa parti tjera maqedonase opozitare.

Kryeparlamentari Trajko Veljanovski pas votimit deklaroi se nesër do të firmos zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen më 5 qershor. Kodi zgjedhor parasheh që zgjedhjet të mbahen me një afat prej 60 ditëve nga dita e shpërndarjes së Parlamentit.

Kjo përbërje ishte e gjashta nga pavarësia e Maqedonisë, e cila ishte zgjedhur gjithashtu në zgjedhjet e parakohshme të dytat parlamentare të qershorit të vitit 2008.(INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›