E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe 20 vjet pas rithemelimit, ish-komunistët e Ramës e gjejnë veten jashtë sistemit demokratik

10-06-2011 / Redaksionale

Edhe dy ditë na ndajnë nga ditëlindja e Partisë Socialiste, e cila mbush 20 vjeç. Dy dekada për një parti që doli nga mitra e përgjakur e Partisë Komuniste nuk janë as shumë dhe as pak. Thjesht janë shprehje e asaj adoleshence naiv-socialiste të pallatit 176: “Sot mbusha njëzet vjeç edhe jeta më thërret”. Jeta thërret, po kë? Sigurisht një sy historik do të thoshte se janë shumë pak në kuadër të hapjes ndaj hapjes mendore dhe ideore të demokratizimit të politikës, pa reflekset e trashëguara gjenetikisht. Natyrisht Partia Socialiste nuk u themelua, por ishte pasojë e një shndërrimi lëkurë. Boja e kuqe u zbeh në rozë, sikurse komunistët u bënë socialistë në politikë, kurse në sektorin privat monistët u bënë “specialistë” siç thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori.
Sakaq ky 20 vjetor e gjen sërish Partinë Socialiste jashtë sistemit demokratik. Njësoj si njëzet vjet më parë jo nuk është e gatshme të njohë pluralizmin parlamentar, çka e vërteton bojkotimi i institucioneve kushtetuese. Regresi që shoqëron kalendarin e lëvizjes jopolitike të kësaj partie është padyshim meritë e Edi Ramës, i cili si kryetar i një organizate politike, që njëzet vjet më parë e quante trashëgimtare të diktatorit Hoxha, kurse sot kalëron bashkëpunëtorët e regjimit të kaluar si Gramoz Ruçi, apo promovon në politikë pinjollët e bllokmenëve. Fijet jo vetëm që nuk janë ndarë me të kaluarën ideologjike dhe biologjike, por përkundrazi janë lidhur për t’i tjerrë një këmishë force demokracisë shqiptare. Kromozomi i diktaturës gjendet në mbiemrat Rama, Peza, Bushati, Beqja, Gjoni, Shamku, Ylli, Pëllumbi, që sot korrespondojnë me emrat e deputetëve socialistë, Edi, Dashamir, Ditzi, Ledi, dy Ilirat, Fideli dhe në fund Xhaçka, që janë njerëzit më me ndikim në Partinë Socialiste. Janë lidhur si rrathët e një zinxhiri që synon të mbajë peng lirinë dhe demokracinë në këtë vend.
Ndërkaq sjellja e adoleshentëve dhe biznesmenëve në parti largoi politikanët “dobiçë” të epokës “Nano”, që ishin si ishin, por goxha më të rrezikshëm politikisht se Dash Peza, Shalësi, Tahiri, Veliaj apo Kodheli, kjo duhet pranuar. Të mbyllur në një sekt endemik marrin vendime anemike, që shërbejnë vetëm për 3 minuta të kronikës së lajmeve. Është e vërtetë që Edi Rama ka 6 vjet në krye të Partisë, por po aq e vërtetë është se ai kurrë s’ka pasur një platformë politike, të një program alternativ, një ide për t’u ndjekur seriozisht. Në mungese të ideve dhe vizionit, ajo që ka fituar në PS është inercia, të ndjekim Ramën në çdo hap, se ndoshta merr pushtetin.
Mirëpo kjo logjikë është e rrezikshme sepse investon Ramën me një dëshirë për të plotësuar dëshirat e atyre që kanë etje për sundim të pushtetit. Një uri dhe etje për pushtet, që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, është bërë edhe më imperialiste brenda Partisë Socialiste. Edhe bojkotet, protestat, greva, demonstrata dhe revoltat popullore socialiste janë vetëm maja e ajsbergut të asaj çfarë fshihet në nënndërgjegjen politike të Edvin Ramës. Është e qartë se Edi Rama kërkon ri-imponimin e një agjendë konfliktuale. Përgjatë dy viteve të shkuara opozita socialiste adaptoi një agjendë konflikte permanente përpara liberalizimit të vizave dhe vendimit për Statusin e Kandidatit. Nga këto dy objektiva Rama arriti vetëm të bllokojë marrjen e statusit të vendit kandidat sepse një gjë e tillë kërkonte një konsensus politik, kurse liberalizimi i vizave u materializua sepse ishte një investim administrativ dhe impulsit të qeverisë “Berisha”.
Nuk është turp më të thuash se nëse ka diçka që nuk shkon në këtë vend është mungesa e Partisë Socialiste në një agjendë konstruktive të reformave konsensuale, pra të atyre votimeve që duan një shumicë të cilësuar. Ka plot ligje që presin një qëndrim konstruktiv të Partisë Socialiste. Por siç duken bathët, agjenda Rama ka qenë dhe mbetet destruktive, d.m.th prish e shkatërro, se kur të vijmë ne, do të rregullohet gjithçka. Partia Socialiste, pas dy ditësh 20 vjeçe, nuk po kupton se vendi s’ka kohë për të humbur pas një agjende konfliktuale, që harxhon energji aq të nevojshme në arritjen e standardeve jo vetëm ligjore, por edhe etike dhe shoqërore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›