David Lidington: Numërimi i çdo vote të qytetarëve, shembull demokratik

Britania e Madhe: Bojkoti nuk është përmbushje e detyrës nga opozita, ajo duhet t’i kërkojë llogari Qeverisë në Kuvend
UPDATE- Bitania e Madhe përcjell në Tiranë mesazhin e Brukselit se dialogu në parlament është jetik për demokracinë si dhe respektimin e standardeve të Bashkimit Evropian. Ministri britanik i shtetit për Europën dhe NATO-n, David Lidington ka deklaruar sot se kriza e tejzgjatur politike në Shqipëri po ngadalëson procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin Topi, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama, Lidington theksoi se palët politik duhet të nisin sa më shpejt dialogun dhe të vijojë të përmbush reformat pasi përndryshe Shqipëria do të mbetet pas vendeve të tjera në procesin e integrimit. Ai gjithashtu ka theksuar se ofron mbështetje për çdo formë ligjore për të nisur dialogun mes palëve dhe këtë ai ia ka shprehur edhe liderit të PS-së Edi Rama gjatë takimit të sotëm. “Opozita ta mbajë qeverinë në punë dhe të kërkojë llogari duke u përballur përmes dialogut. Një nga detyrat e opozitës është të sfidojë qeverinë dhe t’i prezantojë këto në Parlament. Por kjo nuk do jetë e mundur nëse ajo nuk shkon në parlament, kjo nuk do të mundësojë as përmbushjen e reformave ndërkombëtare për vendin. Ne vijojmë të urojmë që të përmbushni detyrimet dhe të ndërmerrni angazhimet dhe reformat për të përmbushur ato”- u shpreh ministri britanik, Lidington. Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit, ministri britanik i shtetit ka mbështetur plotësisht parimin e ndjekur në Shqipëri, për të numëruar çdo votë të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura.
Berisha, Lidington: Roli i opozitës, në Kuvend dhe jo në rrugë
Gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, ministri David Lidington ka theksuar se roli i vërtetë opozitës është në institucione dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mire brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit evropian është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE. Ministri Lidington e siguroi kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të vecantë e antarsimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoise plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian e bëjnë procesin e antarsimit të besueshëm dhe solid. Nga ana e tij kryeministri Berisha duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit i konsideori zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara gjer më sot. Kryeministri u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur tek rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ai theksoi se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve. Duke e cilësuar integrimin në BE si projektin madhor të shqiptarëve, kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi që për të dhe qeverinë e tij ky proces bazohet në performancë dhe meritë. Në përfundim kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që t’i përcjellë ftesën për një vizitë në Shqipëri kryeministrit britanik David Cameron dhe ministrit të jashtëm Ëilliam Hague.
Haxhinasto, Lidington: Koha për kapërcimin e ngërçit politik- reformat e integrimit kërkojnë përkushtimin e palëve politike
Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington i ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të nisin dialogun politik për të bërë të mundur përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto, Lidington theksoi se Bashkimi Europian kërkon që Shqipëria të kapërcejë ngërçin politik ndërsa nga liderët të marrin masa për të rivendosur dialogun politik që më pas të vijohet me reformat të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e Shqipërisë.
Gjithashtu Lidington deklaroi se Britania është e shqetësuar për situatën paszgjedhore në Shqipërin ndërsa theksoi se me rëndësi mbetet që vendi të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese se sa rezultati i zgjedhjeve.
“Jemi të shqetësuar për situatën në Shqipëri. Përsa i përket detajeve ato u takojnë institucioneve, gjykatave, por ajo që ka rëndësi nuk është rezultati sesa fakti që palët të bëjnë përpjekje për të gjetur mirëkuptim që të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese. Mund të ketë debate por këto duhen bërë brenda kuadrit demokratik dhe ligjor. Reformat kanë rëndësi për integrimin dhe realizimi i tyre kërkon angazhimin dhe përkushtimin e palëve në Shqipëri”- u shpreh Lidington.
I pyetur për qëndrimin e opozitës për të bojkotuar Kuvendin, Lidington theksoi se opozita duhet të përballojë sfidën e saj në Parlament.
“Pas përfundimit të shpalljes së rezultateve ajo që ka rëndësi është që opozita ta vërë qeverinë në pozita pune që ajo të japë llogari në Parlament por gjithashtu opozita duhet të përballojë sfidën e saj por kjo duhet të bëhet nëpërmjet parlamentit”- theksoi Lidington.
Ndërkohë ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto i pyetur për vendimin e Kolegjit zgjedhor dhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme theksoi se politika duhet të heshtë përpara vendimit të institucioneve ndërsa theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në vitin 2013.
“Tani është koha që gjykatat dhe institucionet të flasin dhe politika duhet të heshtë. Kjo mazhorancë është solide ashtu siç u tregua edhe nga vota e këtyre zgjedhjeve”- theksoi Haxhinasto.