Raporti i vizave/Shqipëria, nxënësi më i mirë i Ballkanit

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme Sesilia Malmstrom theksoi dje në shpallje të raportit të monitorimit për lëvizjen e lirë se Shqipëria është vendi më pak problematik i Ballkanit, për sa u përket shkeljes së afateve të qëndrimit në hapësirën Shengen. Serbia, Maqedonia dhe Bosnja janë kthyer në shqetësim, por ende s’është marrë ndonjë vendim për rikthimin e regjimit të vizave për këto vende
Shqipëria përbën më pak problem nga të gjitha vendet e Ballkanit lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Thënë ndryshe Shqipëria është duke respektuar aktualisht më shumë se të gjitha vendet e Ballkanit rregullat e liberalizimit.
Ky është konkluzioni që i bëhet nga raporti i Komisioni Europian në monitorimin 6 mujor, në procesin e liberalizimit të vizave në të gjitha vendet e Ballkanit. Sipas Komisionit Europian qytetarët shqiptarë jo vetëm nuk po abuzojnë me kërkesat e azilit në Bashkimin Europian, por ata janë duke respektuar gjithnjë e me shumë dhe afatet e kthimit në Shqipëri.
Marta Garcia Fidalgo, shefe e Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE, deklaroi dje gjatë takimit përgatitor të delegacionit për Europën Juglindore të Parlamentit Europian në Bruksel, se Shqipëria nuk ka abuzuar me regjimin e lirë të vizave të vendosur 15 dhjetorin e shkuar. Sipas Komisionit Europian tendenca për të mos respektuar këto afate këto muajt e fundit është reduktuar shumë.
Gjermania është shumë e shqetësuar me gjithë numrin e azil kërkuesve që vijnë nga Maqedonia dhe Serbia por edhe Franca së fundmi ka shprehur shqetësim se po vihet re mbërritja e një numri azil kërkuesish boshnjakë në Francë. Komisionerja për punët e Brendshme Sesilia Malmstrom ka thënë se këto vende po marrin masa shtesë por gjithsesi numri i azil kërkuesve mbetet shqetësues.
“Ka pasur progres nga këto vende por është e qartë se shumë azil kërkues që vijnë nga Maqedonia dhe Serbia. Ne i kemi edhe për klauzolën e rivendosjes së përkohshme të vizave në kushte shumë specifike të përcaktuara nga komisioni si një stad i fundit i trajtimit të problemit që do të përfshihet në Kodin e vizave aktual dhe në atë të ardhshëm për të ruajtur integritetin e zonës ‘Schengen’. Por asnjë nga shtetet anëtare nuk ka kërkuar deri më tani një pezullim të tillë dhe klauzolën e ruajtjes BE-ja bën të mundur shpejtimin e procedurave të pezullimit të vizave në rast se ai abuzon”, u shpreh komisionerja Malmstrom.
Me klauzolën e ruajtjes Bashkimi Europian bën të mundur shpejtimin e pezullimit të përkohshëm të vizave me një vend në rast se ai abuzon. “Bashkimi Europian përmbush premtimin e saj për abuzimin e vizave me Ballkanin por duhet që edhe vendet që kanë përfituar nga ky liberalizim të përmbushin një numër kriteresh dhe që këto kritere të vazhdojnë të kontrollohen vazhdimisht. Nëse ka shumë persona që përdorin liberalizimin e vizave si azil kërkues për Bashkimin Europian kjo është e papranueshme, ndaj duhen parashikuar zgjedhje në procedura nëse vihen re se ka abuzime. Kjo është ajo që bëri Komisioni Europian dhe kjo është pozitive. Ndërkohë mësojmë se qytetarët shqiptarë po respektojnë gjithnjë e më shumë e kthimit përveçse nuk janë problematikë për azilin. “rregullat duhet të respektohen ata që nuk i zbatojnë vënë në rrezik vendet për të cilat janë hequr vizat. Pra edhe një herë ne duam që ky proces të funksionojnë siç duhet mjafton të respektohen rregullat”, thuhet në raportin e komisionerëve.
Ndërkaq, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian nuk i kanë hapur dritën jeshile Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të “Schengen”-it, pasi kriteret dhe reformat e realizuara nuk janë të mjaftueshme.
Komisioni Europian ndërkohë foli edhe mbi vlerësimin që do të përmbajë raporti i radhës i progresit për Shqipërinë, i cili publikohet më 12 tetor. Raporti pritet t’i kushtojë një hapësirë mjaft të veçantë edhe procesit zgjedhor. “Është e rëndësishme që tani procesi i ankesave të bëhet në qetësi, në respekt të rregullave institucionale dhe mendoj se çështja e saktësisë ligjore për këtë hap të ndërmarrë nevojitet qartazi që të zgjidhet në mënyrë transparente, të ndershme dhe ligjore, duke respektuar rendin ligjor shqiptar”, ka deklaruar Marta Garcia Fidalgo. Komisioni Europian rreshtoi vlerësime në të 12 kushtet që duhen përmbushur nga Shqipëria, duke vlerësuar mënjanë procesin zgjedhor. “Mendoj se është e drejtë që të njohim se pati zgjedhje konkurruese dhe transparente”, theksoi Fidalgo.
Europarlamentarët do të takohen me kolegët e tyre shqiptarë më 14 dhe 15 qershor në Bruksel.