Edhe Ferizaj me festival të filmit

Nga data 17 deri më 21 nëntor në Ferizaj, do të mbahet festivali i filmit ‘Hyjnesha në fron’, festival ky, i cili po mbahet për herë të parë në komunën e Ferizajt dhe synon që para dashamirëve të filmit të sjell një numër filmash zhanresh të ndryshme.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Naim Ferati, ka thënë se gjatë këtyre ditëve shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin një mori filmash.
“Dashamirët e filmit do të kenë mundësi të ndjekin nëntë filma zhanresh të ndryshme edhe atë në dy termine. Festivali ka karakter garues, ku do të ndahen edhe çmimet”, ka thënë Ferati.
Jurinë e këtij festivali do ta përbëjnë Ekrem Sopi, Naser Gjinovci, Imer Mushkolaj, Enver Petrovci dhe Zethane Gimolli.
Në festivalin ‘Hyjnesha në fron’ do të garojnë filma nga Franca, Turqia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia, ndërsa një natë do t'i kushtohet kinemasë së të ardhmes, ku do të shfaqet një numër i filmave te metrazhit të shkurtër të regjisorëve të rinj nga Kosova.