Yjet e lira

Në një periudhë të krizës globale, objektiv i secilit është që të shpenzojë sa më pak që është e mundshme. Në jetë, ashtu edhe në futboll. Ja pse gati gjysma e klubeve evropiane punojnë paralelisht me skautë rreth e përqark botës, për të gjetur lojtarë të lirë që i ofron ‘pazari’.
Ndër ta, ka shumë lojtarë të cilëve do t’u skadojë kontrata në verën e vitit 2012. Një ‘gjuajtje’ që garanton eksperiencë dhe kualitet. E fillojmë me kampionatin anglez, ku shumë lojtarë të njohur, nga qershori do të jenë të lirë. Chelsea ka vendosur të mos ua vazhdojë kontratën katër lojtarëve të dalluar si Nicolas Anelka, Didier Drogba, Florent Malouda e Solomon Kalou.
Andaj, klubet tjera i fërgojnë duart qysh tash, ngase nga sezoni i ardhshëm mund të kenë në dispozicion lojtarë të shquar tashmë. Michael Owen gjithashtu do të jetë i lirë dhe duket se Manchester United nuk e ka ndërmend ta vazhdojë bashkëpunimin me të. Edhe Andrey Arshavin e Tomas Rosicky mund të largohen nga Arsenali, pasi që kontrata u skadon vitin që vjen.
Në Spanjë, Eric Abidal nuk ka arritur marrëveshje me Barcelonën për ta vazhduar kontratën dhe, edhe ai mund t’i bëjë valixhet gati. Gjithashtu, Marcos Senna mund ta lë Villarrealin, njëjtë si Frederic Kanoute – Sevillën. Edhe Ruud Van Nistelrooyt i skadon kontrata me Malagan dhe palët nuk kanë biseduar për vazhdimin e kontratës.
Edhe në Itali do të ketë lojtarë të lirë me bollëk. Te kampioni në fuqi, Milan, kontrata në verë u skadon gjashtë futbollistëve: Seedorf, Gattuso, Flamini, Nesta, Van Bommel e Inzaghi. Interi mund ta përfundojë bashkëpunimin me dy mbrojtësit, Chivu e Samuel, kurse tek Juventusi do të mbeten pa kontrata tre sulmues, Toni, Amauri e Del Piero, që mund të largohen edhe në janar.
Tek Roma, përpos De Rossi, i cili nuk e ka vazhduar ende kontratën, në skadim të sajë janë edhe Okaka, Cicinho, Perrotta, Heinze e Greco. Nuk duhet harruar as lojtarët e tjerë të shquar si Montolivo i Fiorentinës, Mascara i Napolit dhe Miccoli i Palermos, po ashtu në përfundim të kontratës.
Në Gjermani, Raul Gonzales ka kontratë me Schalken vetëm deri në qershor dhe mund të largohet, njëjtë si Michael Ballack me Bayer Leverkusenin. Edhe Mladen Petrićit do t’i skadojë kontrata me Hamburgun. Për të vazhduar më pas me Farfan nga Schalke e Barnetta me Bayer Leverkusen.
Futbolli portugez mund të mbetet pa dy yje. Bëhet fjalë për Javier Saviolan e Pablo Aimarin, të cilëve u skadon kontrata me Benficën gjatë vitit që vjen. Me kartë identiteti më pak të rëndësishme janë edhe Dzagoev i Cska Moscas, Ederson nga Lyon, Lodeiro i Ajaxit dhe Douglas nga Twente. Kërkimet tashmë kanë filluar...