E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Konstandini në agjendë

I mbledhur nën drejtimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Komiteti Shtetëror për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë mori disa vendime që lidhen me festimin e këtij përvjetori të madh të Shqipërisë. Kështu, veç tjerash, në agjendën e festimeve hyn edhe përkujtimi i përvjetorit të Konstandinit të Madh. Po ashtu, u vendos që monumenti i Ismail Qemalit, i autorit Odise Paskali, të vendoset në qendër të Tiranës, përderisa ai i autorit kosovar, Veli Blakçori, ta zërë vendin e tij në Muzeun Historik Kombëtar.

Në hapje të mbledhjes së Komitetit, kryeministri Berisha theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e përcaktimit të të vërtetave historike të kombit, ngase, siç tha, ky është një proces jetik për të ardhmen.

“Mendoj se përcaktimi ynë, që ky 100-vjetor të jetë 100-vjetori i të vërtetave tona, është shumë i drejtë, sepse asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen e një individi, dhe të ardhmen e një kombi, se raporti i tij me të vërtetën.

Ky është një proces jetik për ne, pasi në rrethana të caktuara kemi pasur fatkeqësinë e deformimeve, të largimeve, e madje, ndonjëherë, edhe të ecjes në drejtim të kundërt me të vërtetën”, tha Berisha, i cili ia kujtoi Komitetit edhe një përvjetor tjetër të rëndësishëm - përvjetorin e Perandorit Konstandin, një perandor ky romak me origjinë ilire.

Për të nderuar këtë figurë të madhe historike të kombit dhe të mbarë njerëzimit, kryeministri Berisha kërkoi që - në bashkëpunim të plotë me autoritetet e Kosovës - të programohet edhe nderimi dhe përkujtimi i tij. Ndërkohë, që për këtë qëllim Berisha kërkoi që edhe Ambasada e Shqipërisë në Vatikan të bëjë të gjitha kontaktet e nevojshme me Selinë e Shenjtë.

“Së bashku me autoritet e Kosovës të programohet nderimi dhe përkujtimi i këtij burri të shquar, i cili - e theksoj edhe njëherë - i përket mbarë njerëzimit. Natyrisht, ne nuk e kemi ndërmend që ta përjashtojmë askënd. Përkundrazi, duhet të bashkërendojmë veprimet me Vatikanin, por dhe me vendet e tjera. E vërteta është që ai është shënuar në histori; e theksoj, pas Krishtit, Muhamedit dhe Budës, njihet si njeriu i reformave më të mëdha në historinë e njerëzimit, kështu që ky është viti i nderimit të veprës së tij nga mbarë njerëzimi. Shqiptarëve iu takon të shprehin nderimin e tyre ndaj këtij burri, që paraardhësit tanë e bënë themelues - ndër më kryesorët, ose më kryesorin pas Jezusit - të krishterimit. Prandaj, dhe serbët e kanë ndërmend ta festojnë këtë përvjetor. Dhe, kanë arsye, sepse erdhën dhe nga ai e përqafuan besimin”, u shpreh kryeministri Berisha.

Ndryshe, Flavius Valerius Constantinus u lind rreth vitit 280 në Naissus të Dardanisë (Iliri) - gjegjësisht Nishi i sotëm (Serbi). Vdiq më 22 maj 337. Constantinus njihet edhe si Konstandini, Konstandini i Madh, ose Konstandini i I’rë. Ishte perandor romak me origjine ilire prej vitit 306 deri më 337.

Monumenti i Ismail Qemalit nxirret nga muzeu

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Komiteti Shtetëror vendosi që monumenti kushtuar Ismail Qemalit - i autorit Odise Paskali – që aktualisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, të zhvendoset nga aty dhe të vendoset në vendin e aprovuar kohë më parë nga Komiteti, në lulishten që ndodhet në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe rrugës Ismail Qemali, në Tiranë. Paralelisht, u vendos që monumenti i Ismail Qemalit, i autor kosovar, Veli Blakçori, të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar.

Në fakt, me sa duket monumenti i Ismail Qemalit, i realizuar nga Blakçori dhe i votuar me shumicë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, duket se ishte vetëm fitues moral i këtij konkursi. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që ky Komitet, pas shpalljes së fituesit vendosi që në vendin e përcaktuar të vendoset monumenti i Ismail Qemalit, i punuar nga skulptori i njohur Odhise Paskali në vitin 1981, e jo ky i Veli Blakçorit, që u realizua enkas për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Vendimet tjera për shënimin e përvjetorit

Veç tjerash, kryeministri Berisha kërkoi që Sheshi i Flamurit të shpallet monument i kulturës. Nga ana tjetër, si variant të parë të monumentit kushtuar Ahmet Zogut Komiteti aprovoi variantin ushtarak, të autorit Kreshnik Zhiku. Po ashtu, Komiteti aprovoi mbështetjen e rikonceptimit të Sheshit të Vlorës, si dhe projektin për mauzoleun kushtuar Nënës Mbretëreshë - për realizimin e të cilit u kërkua hapja e menjëhershme e tenderit.

Në mesin e kërkesave të Komitetit Shtetëror për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë ishte edhe hapja e një konkursi ndërkombëtar për realizimin e spotit kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë. Parimisht, Komiteti aprovoi edhe listën e aktiviteteve kryesore për 100-vjetorin e pavarësisë, si dhe krijimin e një web-faqeje kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›