Edhe dhi e krimbur, edhe bishtin përpjetë
Kush nuk përfill dhimbjen njerëzore, bëhet qesharák kur ulërin për një karrige. Mos ndoshta i pikëlluar nga humbja e merituar, Ramës i pëlqen drejtësía e “dajakut”? Apo, i ndëshkuar nga vota e sovranit, evokon ligjin me kritere klasore. Sepse, si ithtar i filozofisë së dhunës, Rama po nxit anarkínë, shkatërrimin, përçarjen! Një demokrat nuk mund të mos respektojë gjyqësorin, që ka zgjedhur vetë. Aq më pak të mohojë vlerësímin e çdo vote, që e ka kërkuar me kërcënime. Apo Rama lutet të dënohen rishtas të pafajshëm, që t’i hapet rruga e të “drejtave” të tij të pamerituara? I ardhur nga “mitra” e përgjakur e PPSH-së, ai duhej të dënonte mizorítë e komunizmit, kurse po shpërfill institucionet e demokracísë. Kur i duhej të klithte kundër xhelatëve të skëterrës, ulërín për karrigen e tij. Në vend që për mangësítë e gjyqësorit, të “luftojë” në parlament. Se nuk ka si të mos e kuptojë Rama që institucionet e pavarura lypsen respektuar, edhe kur verdikti i tyre nuk i përkëdhel ambicien për pushtet. Bile dhe Roma, thonë, nuk u ndërtua brenda një dite. Prandaj njerëzit dyshojnë se, duke i ditur këto, Rama kërkon kthimin e asaj “drejtësie”, ku i jepej e drejta krimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut! Ndaj jo më kot njerëzit e akuzojnë përse nuk respekton vendimet e Gjykatave. Madje, dhe përse i fyen e i kërcënon ato. Ndoshta prandaj shumë socialistë kanë nisur të besojnë se ai e vë veten mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi sovranin. Sepse, fakti që s’ka provuar në shpinë padrejtësítë e diktaturës, nuk e justifikon të mos çmojë lart vlerat e ligjit demokratik, që i trajton njerëzit të barabártë. Askush nuk po e fajëson Ramën pse nuk provoi torturën, “, apo tmerret, që i detyruan njerëzit t’i sajonin vetes mëkate të paqëna! Madje, as pse Rama mund t’i ketë duartrokitur mizorítë e diktaturës, duke i poetizuar ato si një fllad “pranveror”, që rrëzon petalet e “kalbura”. Megjithatë, vërtet të mos e dijë E. Ramë “antikomunisti”, që ligjet e diktaturës pushkatonin e çmendnin njerëz pa shkak, u nxirrnin fëmijët e tyre jetimë nga shtëpia, i flaknin nëpër bodrume dhe, pasi u rrëmbenin pronën, i linin pa bukë, pa punë, pa shkollë, pa zanat, pa një të drejtë! Që, kur këta të pambrojtur donin bukë, u kërkohej vërtetim nga Këshilli se nuk shkonin të takonin prindërit. Që, për të marrë një triskë buke, u kërkohej të kishin kryefamiljarin në punë! Kur kryefamiljarët ua kishin rrëmbyer si skifteri zogun? Kurse Rama, që i ka hipur kalit me shalë, ulërin pse nuk i rrinë majat e këpucëve në yzengjí. Prandaj ky anarkist, që shpall Shqipërínë të prapambetur, të korruptuar, diktatoriale, ulërín pse nuk i jepet atij verdikti për të sunduar.(!) Dhe kur është pikërisht ky qaramán, që nuk lejon krijimin e Gjykatës Administrative, ankohet pse drejtësía nuk ka arritur majat e standardeve europiane. Kurse, ndërkohë që viktimat e diktaturës presin me durim apostolik të veprojë drejtësía, Rama “justifikon” xhelatët, duke fajësuar vetëm ligjet e diktaturës, frymën e të cilave e kërkon sot me kërcënime të veprojë. Prandaj, ndërkohë që ankohet për vartësí të gjyqësorit nga mazhoranca, parapëlqen të ngjiten në piramidën e Drejtësísë njerëz të inkriminuar prej diktaturës. Dhe si pinjoll i mëkatarëve, i ngjan asaj dhisë së krimbur me bishtin përpjetë, që lumturohej duke u parë në pellgun me ujë. Po Rama është dhe kontradiktor. Se, edhe deklarohet jopolitikan, edhe lakmon të gjitha pushtetet. Edhe vetëshpallet “misionar” i lirísë, edhe e shndërron shpurën e deputetëve në sejmenë. A nuk qe ky Ramë që, nga njëra anë kërkoi shenjtërímin e votës së lirë, nga ana tjetër po quan manipulim rinumërímin e saj më transparent? Vështirë të gjendet një lider, që të mohojë kështu veten. Madje, duket e pabesueshme të haset një drejtues, i cili, edhe deklaron se i çmon shqiptarët “përtej së majtës e së djathtës”, edhe tërbohet me ata që mendojnë ndryshe. Ky “ideator” i “dajakut”, duket që nuk njeh alfën e parimeve të drejtësísë demokratíke. Sepse, si “antimonist”, lufton parlamentarizmin. Si “europian”, prish imazhin e Shqipërísë. Si “konstruktiv”, nuk pranon debatin. Si “human”, nuk njeh mirëkuptimin. Shkurt, ky “demokrat” i shenjtëruar, i kërkon Drejtësisë ta peshojë atë me kriteret enveriste të gjykimit, d.m.th. t’i japë vetëm atij të drejtë. Po ç’duhet të bëjnë, atëherë, viktimat e komunizmit, kur shohin që po japin sot drejtësí edhe xhelatë të djeshëm? Kur hetues, që i patën torturuar pa faj, ndërtojnë sot vila mbi trojet e tyre? Kur po këta “engjëj” heshtën si peshku, kur Rama jepte leje të ndërtoheshin pallatet e mafiozëve mbi trojet e pronarëve të ligjshëm, të martirizuar? Ç’duhet të bëjnë, pra, këta të nëpërkëmbur nga drejtësía komuniste? Të mos i besojnë drejtësísë demokratíke? T’i vënë kushte Shqipërísë, që t’i pengojnë asaj si Rama integrimin? Se, sipas Ramës, janë vetëm neobllokmenët që duhet të mbajnë sot leksione demokracie, duke milituar si avokatë në skotën e tij rebéle ! Dhe, ndërkohë që ky despot të ulëríjë për karrigen, martirët të heshtin për kalvarin e tyre. Madje, të durojnë edhe kur Rama me neobllokmenët të tallen, duke i trajtuar si viktima, që kanë nevojë vetëm për mëshirë! Dhe të mos kërkojnë as përdëllim prej shoqërísë, as pendesë prej xhelatëve të pasuruar, të cilët kështu sikur u thonë: “Ne ishim, ne jemi!”. Megjithatë, duke mos hequr dorë nga fisnikëría e tyre, martirët e këshillojnë Ramën të mos harrojë thirrjen e Çehovit: “Pashë vuajtjen dhe u bëra njerí”!
Po a ka forca Rama të ngrihet kundër ambicies së tij?!