Ambasadori Arvizu: SHBA mbetet gjithmonë mbështetëse e patundur e Shqipërisë

SHBA kremton 235-vjetorin e Pavarësisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikanë kremtojnë 235-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, 4 korrikun, Ditën Kombëtare të SHBA-së. Përmes organizimit të ceremonive festive nga ambasada e SHBA-së në vendin tonë, ambasadori Aleksandër Arvizu priti dje në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, krerët më të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve kryeministri Sali Berisha, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kryetari i PS-së, Edi Rama, Kreu i LSI-së Ilir Meta, ish-kryeministri Fatos Nano, diplomatë dhe përfaqësues të medias.
Në fjalën e tij, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka revokuar vlerat universale që bart deklarata e pavarësisë e SHBA-së, ndërsa u shpreh se, “4 korriku është festa e zbulimit të vlerave amerikane”, ndërsa shprehu vlerësime për personat që bënë të mundur organizimin e kësaj ceremonie të shkëlqyer.
Duke vënë në dukje se shqiptarët janë një popull që e duan shumë vendin e tyre, Arvizu vlerësoi edhe kontributin që kanë dhënë në rajon.
Kryediplomati amerikan në vendin tonë ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu në fjalën e tij me këtë rast është shprehur se mbështetja për Shqipërinë nga vendi i tij është dhënë gjithmonë.
Më tej ai ka theksuar nevojën e ndërtimit në vend të një shoqërie demokratike.
Ambasadori deklaroi se “SHBA-të, janë dhe do të mbeten gjithmonë mbështetëse e patundur e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”.
Aleksandër Arvizu theksoi se “Amerika është në anën tuaj, ndërsa ju vazhdoni të ndërtoni një shoqëri të fortë, të ndershme dhe të drejtë. Një shoqëri në të cilën potenciali i plotë i Shqipërisë të mund të realizohet, ku aspiratat dhe pritjet e arsyeshme të përmbushen. Ku shpresa është e gjallë dhe ëndrrat bëhen realitet”, deklaroi ambasadori amerikan, Arvizu.