E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe kryetarja e grave të LDK'së kalon në PDK

Pas Medain Hashanit, të hënën degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj i është bashkuar edhe kryetarja e forumit të gruas së LDK-së dhe njëherësh këshilltare në Kuvendin Komunal nga ky subjekt, juristja Mirlinda Bytyqi, e cila menjëherë pas aderimit ka thënë se arsyeja kryesore pse e ka marrë një vendim të tillë është bllokimi i degës së LDK-së nga kryetari i saj Adem Salihaj. "Në degën e LDK-së mbretëron një ngulfatje, një mospërfillje dhe një injorancë sidomos ndaj gjeneratave të reja" ka thënë Bytyqi.

Ajo ka thënë se PDK-ja, po e dëshmon veten si subjekt që i përkrah, u ndihmon dhe mbi të gjitha i falë besimin gjeneratave të reja. "Besoj se këtë e kanë dëshmuar edhe me kandidimin e fundit të Agim Aliut për kryetar të komunës, por edhe shumë veprime të tjera që po na bindin dita ditës se PDK ofron hapësirë për të rinjtë. Mendoj se në këtë subjekt mund të jap kontribut shumë më të vlefshëm", theksoi Mirlinda Bytyqi

Drejtuesit e degës së PDK-së kanë thënë se ky subjekt po dëshmon se është një parti qytetare, një parti e cila aspiron dhe fuqishëm po ecë drejt integrimeve me qasje të re dhe njerëz të rinjë. Kryetari i degës së PDK-së, Ylber Topalli, theksoi se këto aderime po e tregojnë fuqinë e PDK-së. "PDK-ja integrimet i ndjek përmes qasjes krejt të veçantë, përmes njerëzve të rinjë, përmes kualiteteve të reja, përmes aderimeve të reja, aderime të cilat po e gjejnë gjithnjë më fuqishëm e bindshëm PDK në Ferizaj", theksoi Topalli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›