E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi takon Bildt'in

“Suedia ka ndihmuar Kosovën në rrugën drejt pavarësisë dhe po na ndihmon sot në rrugën drejt integrimit”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili u prit sot nga ministri i Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Bildt falënderoi atë për mbështetjen personale për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu edhe për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

“Pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova është edhe më shumë e përkushtuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në BE. Jemi duke pritur rekomandim pozitiv të Raportit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim, si dhe vlerësim pozitiv për përmbushje të kritereve që dalin nga udhëzuesi për liberalizim të vizave”, theksoi kryeministri Thaçi në takim.

“Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë premtimet ndaj Kosovës, përfshirë këtu hapjen e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim. Integrimi i balancuar i rajonit në BE, bazuar në merita, progresit në reforma dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore është kyç për të ardhmen e rajonit”, shtoi kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa ministri i Jashtëm Carl Bildt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë. Për më tepër , ministri Bildt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›