Edhe lojërat e fëmijëve me besim fetar

“Halal Toys” quhet surpriza me e re e industrise se lojerave, eshte lajmi i fundit i ardhur nga bota e biznesit mysliman, me idene e zbatimit te parimeve te Islamit edhe ne sektorin e argetimit te femijeve. Sot, edhe lojerat e femijeve kane nje besim fetar.
Festat e fundvitit po afrojnë e bashkë me to edhe gara e shfrenuar e dhuratave. Në radhën e parë janë ata fëmijët, kureshtarë, të paduruar për t’i hapur sa më shpejt, dhe pas tyre ne të rriturit entuziastë e me dyshimin se a kemi bërë zgjedhjen e duhur. Nuk ka gjë më emocionuese kur i sheh me lodrën e re ndër duar e me fytyrën që u rrezaton gëzim, teksa largohen hutueshëm në imagjinata fjalëheshtëse. Pas konfidencave të para i dëgjon të bisedojnë me lojën si me një mik të vjetër e fjalë pas fjale ndërtojnë së bashku përrallën e tyre. Përrallat marrin fantazi nga realiteti e kanë moralin apo një mësim relativ ndaj një parimi etik o ndaj një sjelljeje.
“Pa më thuaj moj lodra ime, pse e ke emrin njësoj si të sallamit që më blen mami mua te marketi? Pse edhe ty të pëlqen hë? Loja ime quhet hallall e në klasën time veç unë e kam. Loja ime nuk mëson “haram” siç kërkon edhe Kurani”.
Mos u çuditni, nuk është fantazia e fëmijës që flet, ai veç prodhon lirshëm moralin që i ofron kjo dhuratë, një lojë “halal” (myslimanisht korrekt) e njëjtë me ushqimin që han e me besimin e tij fetar.
Kjo është surpriza e fundit që na ofron viti 2010, quhet “Halal Toys” e ka industrinë e saj përkatëse e të suksesshme. Lodrat ashtu si përrallat janë metafora e realitetit, e riprodhojnë atë duke kopjuar besnikërisht pjesë të jetës së përditshme. Jeta reale respekton e njeh rregulla të domosdoshme e njëkohësisht të vlefshme për të admiruar e argëtuar qoftë edhe me një lojë.
“Halal Toys” është lajmi i fundit i ardhur nga bota e biznesit mysliman, është ideja e zbatimit të parimeve të Islamit në industrinë e lodrave. Quhet Entertainment Software Rating Association (ESRA) e është enti i klasifikimi të lojërave bazuar në parime fetare. Nuk ka qëllim krijimin e lojërave të reja të frymëzuara nga Allahu e profeti Muhamed (të paktën për momentin), por për të gjykuar e klasifikuar lojërat me rregullat e një myslimani të mirë.
Komunikimi zyrtar i këtij lajmi sapo ka dalë nga salla e shtypit të panairit të sapopërfunduar Dubai World Game Expo 2010 dhe ka të bëjë me një projekt që flet tërësisht arabisht, i përqendruar fillimisht në sektorin e elektronikës dhe të video-lojërave. Ekipi i ESRA-s, përbërë nga 17 psikologë e 8 sociologë, duhet të sigurohet se lojërat në shtetet islamike nuk shkelin Sheriatin, Ligjin e Zotit sipas Islamit. Ideatorët e Entertainment Software Rating Association informojnë se objektivi bazë i tyre është klasifikimi i aktivitetit dhe përmbajtjes së lojërave në bazë grupmoshash, duke u nisur nga 3 vjeç deri më 25 vjeç, e të parametrave të mëposhtëm shoqëruar me pullë të kuqe, si:
Dhuna
Duhani e droga
Stimujt seksualë
Frika
Dhunimi i normave fetare
Dhunimi i normave sociale
Dëshpërimi (shprehur konkretisht në shembullin e një loje që kërkon të zgjedhësh vrasjen mizore të një gruaje apo të një fëmije)
Parashikohet se aktualisht, kjo nismë do të përfshijë një bashkësi klientësh që do ta kapërcejnë shifrën prej 1.5 miliardë personash në të gjithë botën, pavarësisht kufijve nacionalë e ligjeve qeverisëse të tyre.
Promotorët e kësaj nisme janë dy shoqëri aktualisht operuese në sektorin dixhital: Index Holding e Iran National Foundation of Computer Games, drejtuesit e të cilave deklarojnë se do të garantojnë një sjellje psikologjike e të ekuilibruar për të gjithë fëmijët myslimanë, përdorues të lojërave. Drejtori i Iran National Foundation of Computer Games, z. Behrouz Minaei, u shpreh se “kuptimi i Islamit varet karakteristika të rëndësishme, si: e vërteta, virtyti, mirësia, ekselenca, novacioni e krijimi”.
Promovimi i idesë së krijimit të entit “Halal Toys” në industrinë e lojërave vjen menjëherë pas lajmit të pak ditëve më parë, ku në Iran sapo u hodh në treg kukulla myslimane, Fatime, me ambicien për të hyrë shpejt në zemrën e të gjitha vajzave në Lindjen e Mesme. “Perëndimi kurajon përhapjen e kukullave pa vello, - u shpreh në konferencën për shtyp përfaqësuesi i kompanisë realizuese të saj, z. Hossein Seresht, - prandaj dhe është detyra jonë realizimi i një kukulle myslimane për të furnizuar tërë tregun e Lindjes së Mesme”.
Industria e lodrave është nga industritë krijuese më të vjetra në botë, me një karakteristikë përcaktuese që është novacioni e me një PPB (Produkti i Përgjithshëm Bruto) që mbulon një seri rolesh, duke ndikuar dukshëm në ekonominë e vendeve prodhuese.
Historia e lodrave
Lodrat nuk kanë lindur aspak me shoqërinë moderne e dëshmitë antike e vërtetojnë këtë gjë plotësisht. Asnjë shoqëri civile nuk ka mohuar praktikat argëtuese të fëmijëve, dokumentacioni letrar dhe mbetjet arkeologjike e referojnë këtë fakt. I përket shekullit IV p. e. s. loja e birrilave që ende sot vazhdon të mbetet një prej më klasikeve, rezistuese të suksesshme ndaj modernizmit, teknologjisë e super-publicitetit të modeleve të fundit të lodrave. Kukulla e parë shfaqet në Egjipt në vitin 2000 p. e. s., e ndërtuar me dru, me fildish apo dhe me baltë e prezantuesja kryesore e argëtimit fëmijëror të grave në antikitet.
Në popujt antikë, ashtu si dhe sot, dhurimi i lojërave ka qenë lidhur me një rast të veçantë, me një festë fetare, me një lindje, me fitimin e një gare sportive apo me daljen e suksesshme nga një periudhë e keqe sëmundjeje. Vëmendja ndaj lodrave, edhe dikur, ashtu si aktualisht, motivohej edhe nga instrumente sociale si në përcaktimin e roleve mashkull e femër, ashtu dhe në krijimin e lojërave për një argëtim të përbashkët. Në vitin 1400 lindin në Gjermani fabrikat e para të prodhimit të kukullave e vetëm një shekull më vonë, në Holandë u aplikua fabrikimi në dru i tyre. Në këtë epokë afirmohet edhe kuptimi i vlerës edukative, didaktike e instruktive të lojërave për fëmijë, për rolin e tyre në formimin e koshiencës e identitetit.
Shoqëria e viteve ‘600, ‘700 karakterizohet nga mendimi filozofik i shkrimtarëve dhe i mjeshtërve filozofë të epokës si Montaigne që shprehej: “Është e nevojshme t’i gjykojmë lodrat e fëmijëve si aksionet e tyre më serioze”; Locke: “Çdo gjë që fëmijët bëjnë në këtë fazë të hershme të jetës së tyre, lë gjurmë, nga e cila del e mira o e keqja”; Rouseau: “Loja është një burim gëzimi, stimuli më i mirë për aktivitetin e fëmijëve”.
Më vitin 1701 lind në Angli primitivizmi mekanik i kukullës mekanike, e aftë të rrotullojë sytë e të lëshojë tingull. Ky qe hapi i parë i një serie risish që nga kukulla që ecën, që qan e deri në transformimet pa limit të teknologjisë së saj.
Në vitin 1800 përhapet përcaktimi pedagogjik i mendimit filozofik të gjermanit Frobel, sipas të cilit “loja është aktiviteti i vërtetë natyral i fëmijës dhe vlera e saj edukative është e pazëvendësueshme”. “Lojërat e fëmijve, - thotë ai, - nuk duhen parë si vogëlsira, por u duhet dhënë rëndësia e kuptimi i duhur. Ato janë embrioni i jetës së ardhshme, pasi njeriu zhvillohet e ripasqyrohet në to, që nga shfaqjet më të vogla e deri në shpirtin më të thellë. Nga to varen marrëdhëniet e ardhshme të fëmijës, konform me dispozitat e veçanta e natyrore të tij, me nënën, babën, motrën, vëllain, në përgjithësi me familjen, me shoqërinë civile, me natyrën e Zotin”.
‘800-a shënon dhe “bumin” e industrisë së lodrave, rritjen e prodhimit e shitjes së tyre në çdo anë të botës. Gjermania, Franca e Anglia janë paraprijëset e një prodhimi të ri industrial që parashikon ndarjen e lojërave në bazë të moshës, seksit e gjendjes sociale të fëmijëve. Në vitin 1793 tregtari i lodrave Bestelmeier të Nurembergut kishte në dispozicion një katalog me 12 000 modele lodrash që nga kukullat e ushtarët e vegjël deri tek kafshët e të gjitha formave. Në një fabrikë gjermane midis 1754-s e 1884-s u prodhuan një miliard kukulla porcelani, ndërsa brenda vitit 1893 në Sonneberg u fabrikuan 2 milionë kokë kukullash.
Është një revolucion i vërtetë i këtij sektori që përcaktohet jo vetëm nga format e teknologjia, por dhe nga materialet e përdorura për prodhimin e tyre. Rezultatet e kësaj pune shihen sot në shoqërinë aktuale, me një industri lodrash që eksperimenton e merr modele nga eksperiencat e jetës së përditshme e që influencon jo pak në ekonominë e vendeve prodhuese.
Pedagogjia moderne e lojërave
Pedagogjia moderne e lojërave flet qartë: Historia e njeriut, jetuar me anë të konceptimit të lojës që në moshën fëmijërore, ku ndryshojnë mite e heronj, por mbetet dëshira për të njohur dhe eksploruar.
Teoritë pedagogjike të John Dewey (1859 - 1952), Sergej Hessen (1887 - 1950) e Jean Piaget (1896) pohojnë në mënyrë të padiskutueshme rolin thelbësor të lojës në rrugën e formimit e mbarëvajtjes së përgjithshme të fëmijës. Lodrat dhe lojërat në përgjithësi konsiderohen instrumenti bazë dhe pjesë integruese e këtij procesi. Falë ideve rinovuese të Dewey e Maria Montessori (1870 - 1952), lind në vitin 1899 në Brooklyn i pari “Children Museum” (Muzeu i fëmijëve) i ndjekur më pas nga hapja e Children Museum në Boston. Ky eksperiment revolucionar u diktua nga vetëdija se metodologjia e mbarëvajtjes së minorëve është mjaft e lidhur me lodrat e tyre, me anë të të cilave bëhet më e lehtë pjesëmarrja e tyre aktive si në mësimin e shkrim-leximit, ashtu dhe në aktivitete të tjera më impenjative. Fëmija mëson duke luajtur dhe eksperimenton disa realitete që përfaqësojnë një stimul të vazhdueshëm të imagjinatës e krijimtarisë së tyre. Vitet ‘70 të ‘900-s shënuan një zhvillim të jashtëzakonshëm të nismave muzeale ndaj fëmijëve në të gjithë Evropën e botën. Në SHBA ekzistojnë sot 300 muze për fëmijë, të finalizuar në tri aktivitete mbarëvajtjeje: të mësosh duke kryer, të mësosh duke eksploruar, të mësosh duke prekur. Pedagogjia moderne ka njohur sot interesin progresiv të lojës e lodrave me një seri nismash, ekspozitash e panairesh mjaft aktive në botë, ku fëmijët njihen me historinë shumëvjeçare të çdo loje, me traditat kulturore të epokave që u përkasin, ndërsa të rritur pasionohen duke shënuar një rritje të numrit të të pasionuarve e koleksionistëve të lojërave të dikurshme.