E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ashpërsohet fushata një javë para zgjedhjeve

Partite politike ne Kosove shprehen te sigurta per fitore. Thaçi premton OKB-ne, Mustafa dhe AAK perplasen per Rugoven, Kurti premton revolucion demokratik

Vijon fushata politike e forcave kryesore ne Kosovë në prag të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Thaçi premtoi se Kosova do të anëtarësohet në OKB, ndërsa z. Mustafa ka deklaruar mbi filozofinë rugoviane, duke iu kundërvënë aleancës AAK – “Lista Rrugova”, e cila deklaroi se Ramush Haradinaj do të kthehet në Kosovë për ta udhëhequr këtë shtet. Drejtuesi karizmatik i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tha se 12 dhjetori është data e ndryshimit, ndërsa LDD i mëshon ende filozofisë së Dardanisë. Nga ana e tyre, AKR dhe FER mbështeten në premtime ekonomike.

Thaçi premton OKB-në

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë takimit me qytetarë në Istog, vend ky që njihet si bastion i LDK-së ka thënë se nuk do të bëjnë koalicion me ata që kanë braktisë qeverinë dhe as me ata që kanë keqqeverisur me vendin.

Sipas kreut të PDK-së, koalicioni do të jenë me qytetarët e Kosovës.

Thaçi përsëriti premtimin e tij për rritje të pagave për të gjitha sektorët. Ai ka premtuar se mandati i ardhshëm katërvjeçar do të jetë i integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në OKB.

Ai sërish premtoi liberalizimin e vizave brenda 15 muajve, ndërsa edhe pse Istogun kjo parti asnjëherë nuk e ka udhëhequr tha se gjatë mandatit të tij qeveritar në Istog është investuar më shumë se që kanë investuar qeveritë e mëhershme.

Kjo parti, pas Istogutj, ka vazhduar fushatën zgjedhore në Gjakovë.

Mustafa mbështetet te Rrugova

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti të hënën tubim elektoral në qytetin e Prizrenit, ndërkaq kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, kërkoi nga qytetarët e kësaj ane ta mbështesin LDK-në, në mënyrë që qeveria e udhëhequr nga kjo parti të ofrojë zhvillim ekonomik dhe integrim të Kosovës.

Duke ofruar mbështetje për rininë, Mustafa tha se LDK do të ofrojë hapësirë për të rinjtë në të gjitha institucionet, në qeveri, kuvend etj.

LDK, tha se Mustafa mbështetet në filozofinë rugoviane, pasi ai është njeriu që vuri themelet e shtetit, dhe LDK, sipas tij, do t’i forcojë këto themele.

Po ashtu, kryetari i kësaj partie premtoi edhe reforma ekonomike, vende të reja të punës, subvencionim për bujqit, arsim cilësor, shtet ligjor etj.

Në fund të takimit, u prezantuan 10 kandidatët nga Prizreni për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ramushi do të rikthehet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën në Pejë, qytet ky që njihet për mbështetjen ndaj kësaj partie, ndërkaq përfaqësues të kësaj kanë thënë se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit qeverinë do ta udhëheqë Ramush Haradinaj.

Kryetari i Pejës, Ali Berisha, tha se as kësaj here nuk ka asnjë fije dyshimi se për kë do të votohet. Sipas tij, shembullin e Pejës duhet ta ndjekin edhe vendet tjera në Kosovë.

Ndërkohë, nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala tha se bashkimi i AAK-së me listën “Ibrahim Rugova” do të sjellë një qeveri, e cila i duhet Kosovës dhe e cila po kërkohet edhe nga faktori ndërkombëtare. Këtë qeveri, siç tha Shala dihet se do ta udhëheqë Ramush Haradinaj.

Ukë Rugova, themelues i listës “Ibrahim Rugova” kritikoi sërish LDK-në që nuk i ka hapur dyert për të dhe për një pjese të madhe të njerëzve, ish bashkëpunëtor të Presidentit të ndjerë.

Ai tha se koalicioni i tanishëm me AAK-në e ka përtërirë koalicionin e mëhershëm që i ndjeri Rugova i ka bërë me AAK-në.

Pacolli i mëshon rritjes ekonomike
Koalicioni Kosova e Re në Istog dhe Klinë ka premtuar se do të tërheqë investime të jashtme deri më shumë se 1 miliard euro.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, ka premtuar rritje ekonomike për 7% dhe 30.000 vende pune në vit.

Kandidatja e këtij koalicioni për kryeministre, Mimoza Kusari-Lila, premtoi se do të bëjë shumë për zhvillimin e turizmit në këto anë.

Kreu i PD-së, Ferid Agani, ka premtuar sistem shëndetësor si duhet, ndërsa lideri i PSD-së, Agim Çeku, ka thënë se ka marrë përsipër një detyrë për krijimin enjë sektori të fuqishëm të sigurisë dhe për integrimin e Kosovës në NATO.

Kurti premton ndryshimin

Në ditën e pestë të fushatës elektorale, Lëvizja “Vetëvendosje!” mbajti tubim me qytetarët e komunës së Prizrenit. Të pranishëm në sallë, iu drejtua kandidati për deputet, Liburn Aliu. “Po takohemi sërish në qytetin e Lidhjes, në qytetin shqiptar, në qytetin e kryengritjeve të mëdha, Prizrenin. Në këtë qytet janë bashkuar gjithmonë shqiptarët, për t’i kundërshtuar padrejtësitë që janë bërë ndaj nesh”, - tha Aliu.

“Ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto padrejtësi, duke u mbledhur të gjithë bashkë, duke u mbledhur të gjithë rreth Lëvizjes “Vetëvendosje!” do ta përmbysim Pakon e Ahtisarit që po na e ndanë Prizrenin në shumë zona, e që po na e ndanë Kosovën mbi baza etnike. Ne të gjithë së bashku, do t’ia sjellim qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, vetëvendosjen”. 

Më pas u prezantuan kandidatët për deputet nga komuna e Prizrenit, Xhemajl Arënliu, Agron Limani, Afrim Kasolli, Shqipe Alishani-Gorani, Arton Çollaku, Liridona Guci, Islam Thaqi, Leonora Morina, Haqif Ilazi e Behare Sahitaj, të cilët ftuan qytetarët prizrenas, që të dalin në zgjedhje e të votojnë për ndryshime.

Pas tyre fjalën e mori ambasadori William Walker. Ai theksoi se nuk e di historinë e Kosovës aq sa duhet, mirëpo e di që para shumë viteve në këtë qytet është mbajtur Lidhja e Prizrenit. “E di se këtu u mblodhën shqiptarët, jo vetëm të Prizrenit, por të të gjitha trojeve shqiptare. U mblodhën për t’u bashkuar. Diçka thuajse të ngjashme po bëjmë edhe ne sot. Po mblidhemi të gjithë për një qëllim, për ta ndryshuar Kosovën”, - tha Walker, njofton Zyra për Informim e Lëvizjes “Vetëvendosje!”.

Nën duartrokitje e brohoritje të shumta, fjalën e mori Albin Kurti. “Jemi mbledhur sot, në vendin ku u bë bashkimi politik e ushtarak i rezidencës kombëtare, në qytetin më të bukur shqiptar, Prizrenin. Jemi mbledhura për t’u bashkuar, për t’ia kthyer dinjitetin qytetarit të Prizrenit, qytetarit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje! është për shtet sovran, është për shtet të se drejtës, është për shtet që i përjashton nga puna zyrtarët e korruptuar dhe ua konfiskon pasurinë e paligjshme... Ftoj qytetarët e Prizrenit që të bashkohen në qytetin e bashkimit, për ndryshimet që do të nisin me 12 dhjetor”, - tha ndër të tjera Kurti.

LDD mbetet në Dardani

Lidhja Demokratike e Dardanisë ka mbajtur tubim parazgjedhor me qytetarët e Skenderajt. Kjo parti ka ftuar drenicasit të votojnë LDD, pasi sipas kreut të kësaj partie, Nexhat Daci, Drenica ka shumë të përbashkëta me Dardaninë antike.

Gani Geci, kandidat i LDD-së për deputetë të Kosovës nga kjo zonë u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë LDD-në nëse dëshirojnë një të ardhme më të mirë.

Po ashtu, u kërkua mbështetje për kreun e LDD-së, Nexhat Daci, i cili u tha se është akademik i përmasave ndërkombëtare. Për kreun e LDD-së, u tha se di të jetë i ashpër ndaj të keqes, dhe po ashtu ndaj ndërkombëtarëve kur ata e kanë gabim.

FER-i e ka me korrupsionin

Drejtues të Partisë Fryma e Re gjatë takimit me qytetarë në Gjilan u kanë bërë thirrje atyre që me 12 dhjetor t’i thonë jo korrupsionit në vend dhe t’i japin frymë të re shtetit të Kosovës. Drejtues e FER-it, duke shëtitur në rrugët e Gjilanit dhe duke biseduar me qytetarët e kësaj ane ashpër kritikuan qeveritarët e deritashëm, që sipas tyre e kanë sjellë vendin në këtë gjendje. Kjo parti premtoi se do t’i kushtojë rëndësi të madhe bujqësisë në Gjilan, sidomos industrisë së duhanit që dikur ka qenë e zhvilluar në këtë pjesë të vendit. Arbresh Dalipi, nga kjo parti akuzoi familjen e Zenun Pajaziti që e ka uzurpuar që sa vite teatrin e Gjilanit. Drejtuesit e FER-it po ashtu kanë shpreh brengën për gjendjen në Shkodër pas përmbytjeve, duke u solidarizuar me qytetarët e Shqipërisë. Ata kanë shpreh gatishmërinë për ndihmë dhe sipas tyre kjo nuk duhet të harrohet pasi në Kosovë të gjithë janë dhënë pas fushatës zgjedhore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›