E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe ne duam tryezë

Aleatët e PS-së e shikojnë si të domosdoshme mbledhjen e tryezës së opozitës për reformën zgjedhore, menjëherë pas zbardhjes së të vërtetës së Gërdecit. PSD-ja, LSI-ja dhe PAD-ja të pyetur nga “Korrieri”, shprehen me nota pozitive për mundësinë e gjetjes së kompromisit të përbashkët për reformën zgjedhore, ndonëse dy të fundit vendosin kushte. “Pse jo! Është e rëndësishme që më përpara PS-ja të deklarojë dëshirën për kompromis jashtë propozimeve që tashmë ka çuar në Parlament. Ne nuk mund të shkojmë aty me një vendim të paramenduar. E rëndësishme është që tryeza të jetë e hapur, që secili të shprehë mendimin e tij”, - përgjigjet Dritan Prifti, i pyetur për mundësinë e diskutimit të të gjithë të majtëve në një tryezë të përbashkët. Që prej daljes së LSI-së nga koalicioni, të majtët nuk janë ulur asnjëherë të diskutojnë bashkarish për daljen me qëndrime të përbashkëta politike, ndonëse kanë qenë unanimë kundër ekzekutivit edhe në protestën e përbashkët që zhvilluan pas tragjedisë së Gërdecit. Ndonëse të ndarë për momentin, “të vegjlit rebelë” pranojnë të ulen në tryezë, por duke u kërkuar socialistëve të tërhiqen paraprakisht nga propozimi që tashmë kanë depozituar në Kuvend, ku kërkojnë ndryshimin e sistemin në proporcional rajonal, të ndarë në 12 rajone. “Mendoj që nuk ka më një opozitë të bashkuar. Me veprimet që ka bërë zoti Rama, me provokacionin e rëndë që ka bërë për ndryshimet kushtetuese, ka vetëm një aleat të tijin dhe ky është zoti Berisha. Kështu që opozita ekziston natyrisht në luftë për mbrojtjen e institucioneve, por kjo nuk është Partia Socialiste. Kështu që një opozitë rreth një tryeze ku është dhe PS-ja, pa tërhequr ndryshimet kushtetuese dhe me oksigjenin që i jep Berishës, natyrisht që do të ishte një hipokrizi”, - thekson presidenti i PAD-së, Neritan Ceka. Në krahun tjetër, edhe nënkryetari i PSD-së, që tashmë ka propozuar proporcionalin rajonal të korrigjuar, Engjëll Bejtaj, mendon se tryeza duhet të thirret për të unifikuar qëndrimet për reformën zgjedhore, por kjo vetëm pas përfundimit të çështjes së Gërdecit.

Propozimi i PSD-së

Socialdemokratët pak ditë përpara shpërthimit në Gërdec ofruan opsionin e tyre për zgjidhjen e ngërçit politik për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas PSD-së, proporcionali rajonal mund të pranohet, por duke bërë një korrektim. Veç kandidatëve që përcaktohet se do të jenë pjesë e Kuvendit bazuar në votat e marra në 12 rajonet, sipas listave të përcaktuara dhe numrit të lejuar, edhe nga votat e marra në rang kombëtar duhet të shtohen mandate të tjera. Pra, kandidatët që nuk mund të marrin mandat, pasi nuk kanë votat e mjaftueshme në garën rajonale. Votat e mbledhura nga partia në rang kombëtar mund të mblidhen dhe të përkthehen në mandate të tjera, veç atyre të përcaktuara për çdo rajon. Por negociatat e PSD-së me partitë e tjera për këtë propozim kanë ngecur. “Ka pasur vetë diskutime informale. Procesi i negociatave u pengua nga ajo që ndodhi në Gërdec”, - shprehet Bejtaj, ndërsa shton se negociatat do të rifillojnë pas përfundimit të çështjes së Gërdecit. Një sinjal pozitiv vjen nga LSI-ja, që pranon të negociojë edhe për këtë opsion. “Patjetër që mund të diskutohet edhe propozimi i PSD-së. Por edhe ne duhet të kemi të drejtën e propozimeve tona”, - thotë nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Por ndryshe nga Prifti, Neritan Ceka shprehet se as që mund të diskutohet ndarja e vendit në rajone. “Proporcionali rajonal nuk mund të pranohet në Shqipëri. Çdo rikrijim i rajoneve mbi baza politike është i rrezikshëm. Korrektimi është një kompromis mbi një manovër, e cila është e rrezikshme politikisht edhe nacionalist e rrezikshme”, - deklaron presidenti i PAD-së. Propozimi i PSD-së ka gjetur mbështetjen edhe të disa partive të djathta, e për më tepër lë shteg edhe për pranim nga PS-ja, që me vendim kryesie kërkon medoemos proporcional rajonal, ndërsa është e hapur për të diskutuar lidhur me detajet e këtij sistemi. saqellari@korrieri.com 

Dritan Prifti
“Pse jo! Është e rëndësishme që më përpara PS-ja të deklarojë dëshirën për kompromis jashtë propozimeve që tashmë ka çuar në Parlament. Ne nuk mund të shkojmë aty me një vendim të paramenduar. E rëndësishme eshtë që tryeza të jetë e hapur, që secili të shprehë mendimin e tij”.

Neritan Ceka
Një opozitë rreth një tryeze ku është dhe PS-ja. pa tërhequr ndryshimet kushtetuese dhe me oksigjenin që i jep Berishës, natyrisht që do të ishte një hipokrizi”.

Engjëll Bejtaj
“Tryeza duhet të thirret për të unifikuar qëndrimet për reformën zgjedhore, por kjo vetëm pas përfundimit të çështjes së Gërdecit”.

Paskal Milo
Demokracia Sociale shpreh dyshime për mbarëvajtjen e reformave sipas integrimit në NATO. Në krahun tjetër, PDS-ja do të kërkojë dorëheqjen e kreut të ekzekutivit në protestën e ditës së premte. “Kjo qeveri nuk ka mbajtur as një premtim dhe ka dështuar. I duhet thënë “Jo” Berishës për të gjitha pseudoreformat. Sali Berisha duhet të shkojë në shtëpi, pasi me ngjarjen e Gërdecit e ka mbyllur ciklin e tij”, - deklaroi dje kreu i PDS-së, Paskal Milo. Në një konferencë për shtyp, ai po ashtu kërkoi unifikimin e qëndrimeve të opozitës dhe bashkimin e saj. Sipas Milos, nuk mund të ketë dy standarde të opozitës: daljen të bashkuar në sheshin “Skënderbej” dhe të ndarë në qëndrimet për reformën zgjedhore. Kreu i PDS-së u shpreh optimist për marrjen e ftesës në NATO, në Samitin e Bukureshtit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›