E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me shkrim

Kryetarja e grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, asaj Socialiste, Valentina Leskaj, ka kërkuar me insistim në seancën e mbrëmjes së djeshme një raport nga kryeministri Sali Berisha, lidhur me tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Numri një i forcës më të madhe opozitare, duke iu referuar pikave të rendit të ditës së punimeve të Kuvendit, ka nënvizuar se shumë më të rëndësishme se ato është vetë gjendja e krijuar në fshatin Gërdec, ku si pasojë e shpërthimit të depos së armëve, kanë humbur jetën shumë njerëz, janë shkatërruar shtëpi dhe prona. “Besoj me gjithë axhendën që kemi me dy çështjet, qoftë ajo për ekspozitat ndërkombëtare, qoftë ajo për materialet e ndërtimit, nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë kaq të rëndësishme saç është axhenda e Gërdecit, ku njerëzit janë hedhur në erë, ku shtëpitë janë hedhur në erë, ku familjet janë hedhur në erë, ku pronat janë hedhur në erë”, ka deklaruar drejtuesja e deputetëve socialistë. Për kryetaren Leskaj, e rëndësishme për seancën plenare ishte vetëm dëgjimi i asaj çka duhet të thoshin deputetët lidhur me këtë ngjarje dhe, në mënyrë të veçantë, marrja e raportit me shkrim nga kreu i qeverisë. Sipas saj, një gjë e tillë duhet të sqarojë situatën, pasi deklaratat e Berishës në seancën e parë parlamentare pas tragjedisë, kanë rezultuar kontradiktore. “Kryeministri i vendit duhet të sjellë raport me shkrim përpara Parlamentit. Insistojmë për raport me shkrim, pasi të tëra ato që kryeministri ka thënë në Parlament atë natë, janë rrëzuar më vonë dhe pjesën më të madhe i ka rrëzuar edhe vetë me thëniet dhe kundërthëniet që ka bërë në media, edhe në Parlament në ditët në vijim”, deklaroi Leskaj. Ajo nënvizoi se Berisha ka humbur tërësisht besueshmërinë për sa i përket përgjegjësisë, analizës dhe trajtimit të çështjes së Gërdecit. “Kësisoj, - theksoi numri një i grupit të ligjvënësve socialistë, raporti duhet të përcillet me shkrim”. Njëkohësisht, ajo i ka kërkuar kryetares së Parlamentit, Jozefina Topallit, që të mos luaj me dy standarde gjatë zhvillimit të seancës. Ky reagim erdhi pas një momenti replikash me deputetit demokrat, Ferdinand Xhaferri dhe atij socialist, Taulant Balla. “Të mos mbani dy standarde me deputetët lidhur me etikën në Parlament. Një deputeti të PS-së më parë i pretë fjalën për një fjalë që nuk ishte aq e rëndë, sa fjala, që për arsye etike nuk mund ta përmend, bëri deputeti juaj. Ju kërkoj të mos mbani dy standarde, por një standard në trajtimin e deputetëve. Ju nuk jeni aty kryetare e PD-së, por jeni kryetare e Parlamentit dhe do të thotë se duhet të moderoni me paanësi”, tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›