Edhe një herë për eutanazinë
Siri Sulejmani
I mbështetur në faktin që Zoti, racës njerëzore, për ta ndarë nga kafshët e tjera, i ka dhënë forcën e arsyetimit dhe të vetëdijes për veprim, kohë më parë i bëja thirrje gjithë shoqërisë për një debat rreth çështjes në fjalë, por për fat të keq, në mënyrë të veçantë intelektualët tanë i kanë mbërthyer debatet dhe analizat për broçkullat politike dhe jo për hallet urgjente që nxjerr koha ndaj gjithë shoqërisë, siç është eutanazia apo edhe ajo e mungesës së vendeve për varre, veçanërisht në Tiranë, ku ata janë përzier me godinat e të gjallëve, me lokalet dhe motelet.
Për këtë çështje gjithashtu kam shkruar duke hedhur mendimin për ngritjen e krematoriumit, në të cilin ofroja të parin trupin tim pas vdekjes, ndonëse i vetëdijshëm për faktin se ky mendim do përballej me habinë e shumë njerëzve. Realiteti tregon se n.q.s. do të ecim me këtë logjikë dhe, akoma më keq, me këtë qëndrim shtetëror, nuk është çudi që të lidhim marrëveshje me qytete të tjera apo me fshatra që kanë hapësira boshe për të eksportuar kufomat, natyrisht me një kosto financiare të fortë Ka vend që këtë ta merrni për ironi, por edhe imponim nga e ardhmja.
Po le të ndalemi tek eutanazia: Si mund ta durojë arsyeja njerëzore zvarritjen për vite me radhë të jetës së njeriut që vetë atij i është neveritur dhe njerëzit që rrethojnë luten çdo ditë: Merre o Zot të shpëtojë ai dhe ne prej tij që i rrimë pranë krevatit për ti bërë shërbimet personale. Kam njohur nga afër rastin e një njeriu paralizuar për gjashtë vjet, që i bënte të gjitha në shtrat. Më kot lutej me lot në sy për ti bërë gjilpërën e shpëtimit deri sa vdiq në llahtari. Raste të tilla janë me qindra. Përse duhet ta konsiderojë normale arsyeja njerëzore, shkencore e shtetërore, që vdekja e njerëzve të mbetur në vetmi, të mësohet pasi përhapet era e rëndë e trupit të dekompozuar nëpër shkallët e pallateve (siç edhe ka ndodhur rëndom).
Pra: Kur jeta është bërë e pavlerë, e pashpresë dhe është kthyer në tmerr, duhet përdorur eutanazia, të cilën, siç kam marrë vesh vonë, e kanë disa vende të zhvilluara dhe është në diskutim botëror. Le të kujtojmë në këtë rast fjalën e mençur: Më mirë një fund i dhimbshëm, sesa një tmerr pa fund. Kjo nuk ka pse bëhet në mënyrë ceremoniale, por në mirëkuptim me atë që vuan apo me ata që vuajnë rreth tij, gjatë mjekimit ti bëhet injeksioni për të ndërprerë tmerrin. Personalisht firmën për veten time e kam deklaruar prej kohësh nëse fundi do më paraqitet i tillë.
Për shkrimin e botuar vite më parë, mora shumë telefonata dhe e-maile përkrahëse nga vendi dhe veçanërisht nga jashtë si p.sh.: Parisi, Londra, Montreali, Milano dhe Roma, nga emigrantë të larguar nga atdheu i tyre. Për zonjën fatkeqe që përmenda më lart,e cila i rri te koka prej 5 vjetësh burrit në gjendje kome dhe që nuk ka dhënë asnjë shenjë ndryshimi, në favor të jetës do ta këshilloja me keqardhje të mos e shkatërrojë edhe jetën e saj për një gjendje që si dihet fundi as nga shkenca.
Më ka befasuar mendimi i një mjeku që merret me politikë apo politikani që merret me mjekësi, i cili e quante eutanazinë krim. Ka hak, pasi e keqja si ka rënë te porta, mirëpo një fjalë e lashtë na mëson: Mos dëgjo çthotë katroi, por dëgjo atë që e voi Jam i bindur se eutanazia nuk ka mbetur pa u praktikuar në fshehtësi. Dhe së fundi, për ti nxjerrë cilitdo frikën, mund të them se nja dy miq të mitë, (njëri prej tyre me emër të njohur), kur pleqëria i shtriu në shtratin e neverisë, duke mos duruar poshtërimin dhe vuajtjen e të tjerëve, e hodhën tej jetën pa asnjë vlerë Natyrisht kjo mënyrë është më e rëndë dhe më e vështir në krahasim me përdorimin e qetë të eutanazisë. Kam bindjen se evoluimi i kohës e bën të domosdoshme për shoqërinë tonë shkundjen e pemëssë zakoneve të mykura nëpër shekuj. Aksiomë është realiteti që na imponon jeta dhe jo dogmat dhe besëtytnitë spekulative.