Meta president dhe variantet e konfigurimeve të reja politike
Poli Hoxha
Prezantimi zyrtarisht nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim e kryetarit të saj Ilir Meta, si kandidat konsensual, për shumëkënd nuk ishte surprizë, pas takimeve intensive që ai ka bërë, publike e jopublike për këtë çështje. Bie në sy që Ilir Meta nuk është takuar vetëm me kryetarin e Partisë Demokratike, i cili axhendën presidenciale e ka konsumuar vetëm me Fatos Nanon, takim të cilin më shumë se për ta kthjelluar atë se nuk do ta mbështes, e ka shfrytëzuar për tu bërë të qartë të gjithëve, se presidenti do të jetë një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike (vini re, ai thekson i PD-së dhe jo i mazhorancës), pra dikush shumë afër tij. Nga ana tjetër ky vullnet i panegociueshëm deri tani nga Berisha, nuk përkon as me 71 votat që do ti duhen në raundin e fundit, nëse nuk ka me vete deputetët e konfirmuar të Ilir Metës dhe disa të tjerë nën rrogoz, si Kastriot Islami e ndonjë tjetër.
Kandidimi zyrtar i kreut të partisë së tretë parlamentare që mban mazhorancën në pushtet, vjen 24 orë pas këmbënguljes së Berishës, se presidentin e zgjedh partia e tij dhe vetëm pak orë pas deklarimit të prerë në Opinion të kreut të selisë rozë Edi Rama, se opozita nuk do të votojë një kandidat të Partisë Demokratike. Nëse të gjithë qëndrojnë në pozicionet e tyre, cilat janë kalkulimet e mundshme të zhvillimeve të ardhshme politike në vend dhe a mund të ketë një rikonfigurim të skenës së deritanishme. Në të gjitha variantet duket se çelësi, është Ilir Meta.
Nëse ai këmbëngul deri në fund në ambicien e tij, karta e parë që do luajë është Berisha: Më bëj president konsensual, të tuve u thua se është aleati ynë që na solli, na mban dhe do të na risjellë në pushtet edhe në vitin 2013, kurse të majtës i thua, ju dhashë një president të majtë, ndërkombëtarëve, ju dëgjova, u tërhoqa nga presidenti njëpartiakPërndryshe, bashkohem me Edi Ramën dhe ti zoti Berisha, humbet qeverinë sot dhe ambicien për një mandate të tretë.
Karta e dytë e Ilir Metës, është Edi Rama: Më bëj president, përmbysim mazhorancën në Kuvend, shpallim mocion, bëjmë zgjedhje të parakohshme, ti bëhesh kryeministër në koalicion me LSI duke realizuar ëndrrën tënde, por shpëton edhe nga unë si kandidat i përjetshëm për të marrë kreun e Partisë Socialiste Përndryshe zoti Rama, ti nuk fiton as në 2013-tën, i humbet të dyja edhe qeverinë edhe partinë. Cili do ta pranojë ofertën?. Kush do të bëjë zgjedhjen e vështirë, Berisha që bën gjithçka për pushtet, apo Rama që ka shansin e fundit për të ardhur personalisht në pushtet dhe socialistët që pavarësisht se nuk e duan Metën, më shumë se gjithçka, ëndërrojnë ditën kur do rrëzojnë Berishën?!