Edhe një kandidat për James Bond
Gjatë një interviste të dhënë për mediat australiane, Hugh Jackman, i cili aktualisht po xhiron në Londër filmin e tij të ri “Les Miserables” (Të Mjerët), tha se roli i James Bond i ishte ofruar edhe më parë.
"Derisa isha duke xhiruar filmin 'X Men 2', më thirri agjenti im dhe më tha se producentët e filmit për Bond ishin shumë të interesuar për mua. Asokohe e refuzova ofertën, sepse vërtet isha tepër i zënë me projekte të nënshkruara, por ftesën e ardhshme do ta pranoj”, theksoi Jackman.
Megjithëse ende nuk është njoftuar zyrtarisht nëse aktori Daniel Craig vërtet do ta braktisë serialin për James Bond, si kandidat i mundshëm për zëvendësimin e tij në filmin e ardhshëm për agjentin 007 tashmë është përmendur edhe aktori britanik Idris Elba.