Edhe një libër historiografik i Buxhovit
Pas "Kosovës", që vazhdon të jetë vepra më e shitur, historiani Buxhovi këto ditë del me një vepër tjetër, që plotëson gamën e historisë shqiptare. Fjala është për veprën "Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878". Kjo vepër, është vazhdim i veprës "Kongresi i Berlinit 1878", e botuar para katër vitesh, me rastin e 130 vjetorit të Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Krahas protokolleve origjinale të Kongresit të Berlinit (frëngjisht, gjermanisht dhe shqip), të cilat për herë të parë paraqiten në mënyrë integrale si dhe plotësimit të tyre me disa dokumente të tjera (Memorandumit shqiptar dorëzuar qeverisë gjermane nga ana e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, Qarkorja e Abedin Pashës drejtuar shqiptarëve), autori sjell studimin analitik rreth Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pasqyrimit të saj në dokumentet gjermane të kohës.
Kjo vepër botohet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë kombëtare dhe 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pritet që promovimi të bëhet në Prizren, më 10 qershor.