Edhe pas Asamblesë, Rama është “ku thërret qameti”

U mblodhën vendimmarrësit e PS-së, por s’vendosën dot asgjë, sepse kryetari i tyre s’paraqiti dje asnjë platformë e asnjë nismë politike. E ka thirrur kongresin për në vjeshtë, pa pranuar humbjen e majit, kërkoi zgjedhjet e parakohshme, por kërkon të pyesë edhe për dy javë strukturat e bazës, i ka shpallur një grup deputetësh si armiq, por njëkohësisht as i përjashton e as ndërpret bojkotin. Dje Rama mblodhi Asamblenë, por konfirmoi veç se është “ku thërret qameti”
U mblodh dje edhe Asambleja e PS-së. U mblodh, dhe vendimi më i rëndësishëm i saj ishte që do të mblidhen sërish në “një kohë tjetër”, për të vendosur se çdo të bëjnë pas “kohës tjetër”. Por deri në mbledhjen “në një kohë tjetër”, për të vendosur se çdo të bëjnë pas “kohës tjetër”, ky forum i PS-së, vendosi që do nisin një tur takimesh në bazë, për të marrë mendimin e bazës, se çfarë do të vendosin në mbledhjen “në një kohë tjetër”, për veprimet e qëndrimet e mundshme pas “kohës tjetër”.
Me pak fjalë, Asambleja e djeshme e PS-së, por edhe vetë Edi Rama në fjalimin e tij, (fjalim i vetëm që ka tagrin të bëhet publik), ishin “ku thërret qameti”. Kjo dukshëm binte në sy, kur dëgjoje Edi Ramën, ndërsa i vetmi kishte fatin të fliste para kamerave. Në këtë fjalim, ai nuk kishte mundur të modifikonte aspak terminologjinë, që prej së paku në dy vitet e fundit e ka artikuluar vend e pa vend, kudo dhe kurdo që ai ka pasur mundësi të jetë përballë ndonjë kamera televizive. Në mungesë të një modifikimi të mundshëm të kësaj terminologjia, shpresat për ndonjë “pritshmëri” të mundshme në vendimmarrjen e Asamblesë së PS-së, u fashitën, që ku Edi Rama përfundoi së lexuari fjalimin e tij. Përkundër Asaj që Edi Rama nuk prodhoi asgjë, por edhe përpos asaj që pritej, dy ishin lajmet e vetme që prodhoi dje kjo Asamble. Lajmi i parë, kishte të bënte me faktin se më në fund edhe Arben Malaj dhe Erion Braçe “zyrtarizuan’ qëndrimin e tyre “kundër”.
Lajmi tjetër, jo më pak i rëndësishëm, ishte mungesa e Elvis (Ervin) Rroshit, në mbledhjen e djeshme të Asamblesë. Sa për ato që priteshin, të paralajmëruara si vendime të rëndësishme, ishin asgjë më shumë se “NUK”.
Kjo vijueshmëri NUK-esh, u paralajmërua që në fjalimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, fjalim i cili nuk premtonte për ndonjë vendimmarrje të rëndësishme nga ana e këtij forumi të PS-së. Duke përjashtuar, mosmodifikimin e terminologjisë së (mos)përzgjedhur të Edi Ramës, fjalimi i tij i djeshëm NUK përcillet asnjë mesazh të mundshëm, në bazë ët të cilave të mund të vërtiteshin në fjalimet e tyre (të censuruara), anëtarët e Asamblesë së PS-së. Për të mos “i ngrënë hakun”, në fakt Edi Rama, përcolli një mesazh.
Mesazhi i vete i tij ishte “do nxjerrim vendin nga kriza me protesta”. Por dhe ky mesazh i përket një kohe të ardhme, të tipi “do të”, por se kur..., ndoshta pas mbledhjes “në një kohë tjetër”, të Asamblesë së PS-së, ku do të vendoset se çdo të bëjnë pas “kohës tjetër”. Asambleja e djeshme e PS, NUK ofroi dhe NUK vendosi për asnjë zgjidhje politike. Në këtë kontekst ky forum NUK arriti të merrte asnjë vendim, se cili do të jetë në vazhdim raporti i deputetëve të PS-së me Parlamentin. Për zhgënjimin e asaj që pritej, Asambleja e PS-së, NUK mundi dje as të artikulonte një qëndrim, përballë bojkotit të institucioneve shtetërore. Por, edhe për atë që konsiderohet çështje e ditës, “situata post zgjedhore”, sërish kjo Asamble NUK vendosi asgjë.
Në morinë e NUK-eve që mbizotëronin (mos)vendimmarrjen e djeshme të Asamblesë së PS-së, ky forum NUK arriti as të përcaktojë një kalendar politik të partisë që përfaqëson. Tingëllon paska ironike, apo cinike edhe fakti tjetër, se Asambleja e djeshme e PS-së, ishte shumë e pa zonja, sa që NUK mundi të merrte asnjë vendim për spastrimet në parti, të zërave “kundër”. Jo vetëm kaq, por vetë Edi Rama, ishte kaq i pafuqishëm dje sa NUK mundi as të ndalonte zërat e rinj “kundër”, sikurse janë Arben Malaj dhe Erion Braçe. ...
Dhe NUK-et vazhdojnë, e do të vazhdojnë ndoshta edhe deri në mbledhjen “në një kohë tjetër” të PS-së, ku do të vendoset se ç’NUK të bëjnë pas “kohës tjetër”...
...