E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe shembja e Piramidës me procedurë

Nga Lavdosh Ferruni

Shumë cinike tingëlluan fjalët Bashkia është e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari të dala nga goja e z. Basha, në përgjigje të pyetjes së gazetarit të Zërit të Amerikës nëse do ta mbante premtimin dhënë në fushatë për mos prishjen e Piramidës teksa i kujtoi dhe peticionin e nenshkruar nga mijra qytetare për të. Pas frazës ..e hapur për të dëgjuar zërin e çdo qytetari erdhi prononcimi i tij për të mos dëgjuar zërat e mijra qytetarëve, pasi ka një procedurë ligjore  (në fakt antiligjore) dhe një shtet ligjor që kërkokërka  të mos dëgjohen zërat e qytetarëve.  Në një shtet normal ligjor për një vendimmarrje të drejtë të një sipërmarrje të përmasave të tilla siç është rasti i shkatërrimit të Piramidës, tashmë simbol i arkitekturës moderne shqiptare, Kryebashkiaku duhet minimalisht të kërkonte referendum të komunitetit që ai drejton, për të patur një vendimmarrje pro apo kundër  prishjes së saj. Por këtë nuk e beson as autori i këtyre rreshtave. Basha nuk ka asnjë lidhje me të tillë soj liderësh që i drejtohen popullit për zgjidhjen e problemeve. Ai është thjesht një specie politike tërësisht simbiotike me trungun Berishist, që jo vetëm se nuk dëgjon por tallet me popullin.

Tjetër. Si ka mundësi që Basha është kaq i qetë qëkur të gjithë deputetët e Partisë së tij votuan kundra mendimit të tij të shprehur edhe publikisht që nuk është e nevojshme të shembet Piramida? Nëse vërtetë ai ishte kundër prishjes a nuk ishte ai në gjendje të bindte një a dy prej të gjithëve nga të tijët që të mos e votonin ligjin? Si ka mundësi,  pastaj, që Basha mori më shumë se të gjithë vota në drejtimin e Partisë edhe pse ai ishte shprehur kundra prishjes së Piramidës, pra kundra të gjithëve atyre që e votuan të cilët ishin dhe janë pro prishjes së Piramidës. Nga kjo analizë e thjeshtë del fare qartë se mos nevojshmëria e Bashës për prishjen e Piramidës ishte thjesht njëra nga gënjeshtrat e tij në fushatë elektorale, të cilën disa edhe e kanë besuar.

Me këtë gjakftohtësi që Basha pret prishjen e Piramidës ai çel edhe serinë e gënjeshtrave të tij ekologjike. Ai tha në fushatë se do shtonte sipërfaqet e gjelbra dhe u lajthit kundra betonizimit të Tiranës. Bashkë me shtimin e shumëfishtë të volumit të betonit me projektin gërdallë të Parlamentit të ri ai fshin automatikisht nga harta më shumë se 10,000 m2 gjelbërim përqark Piramidës, duke  shuar gëzimin e mijëra qytetarëve që e frekuentojnë këtë park mbrëmjeve të verës së nxehtë të Tiranës, sidomos fëmijëve, duke e zëvendësuar atë me beton, me zinxhira e me fytyrat e ngrira të gardistëve me automatik në krah.

Gjithashtu po me procedurë Basha gjakftohtë (apo pa gjak fare) në ditët e para të tij si kryebashkiak bën sehir teksa fadromat po përtypin edhe 10,000 m2 koncentrat të gjelbër brenda Kopshtit Botanik, vlerë unikale në Botë. Edhe këtu pati zë të fortë qytetar dhe jo partiak, se bimët e maleve të Shqipërisë nuk janë as socialiste e as demokrate, pati dhe zë shkencor të fortë, jo vetëm në mbrojtje të Kopshtit, por dhe të  qindra apo mijëra banorëve që banojnë aty tani dhe Basha gjithnjë i hapur për ti dëgjuar nuk dëgjoi gjë gjithashtu. Basha është modeluar të mos dëgjoj zërat e qytetarëve, ekspertiza e tij është proceduralizmi dhe servilizmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›