Vazhdojnë sulmet e PD-së ndaj Topit: Prano që votove për Ramën
Mazhoranca duket se është e vendosur në sulmet që ka ndërmarrë ndaj presidentit Bamir Topi, në lidhje me votën e tij më 8 maj.
Sulmin ndaj presidentit e ka vijuar kryetari KZAZ-së numër 53 në shkollën Servete Maci, Berti Çoku, që përfaqësonte PD-në. Ai ka thënë se votat e presidentit ka qenë për Edi Ramën dhe ky i fundit duhet ta pranojë këtë gjë.
Z. President, vota juaj për Edi Ramën është shprehja e vullnetit tuaj, por përpjekja juaj për të fshehur të vërtetën e votës tuaj, duke akuzuar njerëzit e ligjit për interesa personale, është shumë e rëndë, deklaroi ai.
Sipas tij, kjo KZAZ, ka publikuar dhe procesverbalin e firmosur nga të gjithë anëtarët e saj. Ndaj dhe ju zoti President, dilini zot votës tuaj, dhe mos përsërisni akuzat e Ramës ndaj njerëzve të ligjit, sepse kështu vetëm sa komprometoni shumë rëndë pozicionin tuaj si kryetar i shtetit, theksoi Çoku.
Vota e qytetarëve dhe e juaja zoti President, nga ne janë administruar me korrektësi ligjore. Interpretimet e tjera janë meskinitet amorale dhe të padenja për pozicionin tuaj”, përfundon deklaratën Çoku.