E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe shumë punë

Albert Bunjaku i ka idetë e qarta për pengesat që duhet t’i kalojë në muajt ardhshëm. Në një intervistë dhënë ueb faqes Sport1.de, sulmuesi kosovar ka folur për luftën e ekipit të tij, Nurnberg, për mbijetesë në Bundesliga 1, për të ardhmen dhe për ëndrrën që ka për të luajtur në Botërorin Afrika e Jugut 2010.

Me 12 golat e realizuara këtë sezon në elitën e futbollit gjerman, 25-vjeçari është bërë futbollist i rëndësishëm i Nurnbergut. Madje, ai në vjeshtën e vitit të kaluar kishte marrë ftesë edhe nga selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, për të luajtur në ndeshje miqësore. Mirëpo, gjilanasi tash nuk e fsheh dëshirën e tij që të jetë pjesë e kontingjentit zviceran në Kupën e Botës, e cila fillon në muajin qershor.

“Ftesa në Kombëtare ishte ndoshta gjëja më e bukur që më kishte ndodhur në karrierën time. Ftesa më ka nderuar dhe mezi prisja të punoja së bashku me një trajner si Ottmar Hitzfeld. Konkurrenca është mjaft e madhe, por unë do të jap gjithçka nga vetja për të qenë në Afrikën e Jugut”, ka thënë ish-futbollisti i Erfurtit.

Golat e Bunjakut me të vërtetë i kanë dhënë një shtytje Nurnbergut që të shpresojë në mbijetesë në Bundesliga 1. Tregolëshi i realizuar nga ai kundër Hannover 96, ishte vetëm i dyti në histori të futbollit gjerman të shënuar nga një lojtar zviceran, pas ish-futbollistit të Dortmund, Stephane Chapuisat.

Bunjaku, që në vitin 2008 kishte luajtur tek Erfurti në ligën e tretë gjermane, ka një instinkt të veçantë përpara golit, por ai mendon se edhe duhet të kesh fat që të gjendesh përpara golit në momentin e duhur.

Kohëve të fundit, Nurnberg e ka përmirësuar lojën e vet dhe rezultatet nuk mungojnë. Ky ekip është ngritur në pozitën e 14, por i duhet ende punë për ta siguruar mbijetesën.

”Ne jemi pjesë e një beteje për mbijetesë. Duhet të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë, mbi të gjitha në shtëpi. Në ndeshjet e fundit jemi më të fortë dhe po luajmë me më shumë besim. Sido që të jetë, ende jemi larg sigurimit të mbijetesës. Kemi përpara edhe 5 ndeshje dhe ka ende punë”, nënvizoi Bunjaku.

Bunjaku shpjegon se kur kishte arritur në Nurnberg, kishte hasur në momente të vështira, mbi të gjitha në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, në ligën e dytë gjermane, kur ishte përballur me disa lëndime. Por, ai tregon se me të filluar ky sezon, ka punuar mjaft dhe e ka ndjekur të gjithë fazën përgatitore, e cila, vlerëson ai, është shpaguar tash. “Besimin e trajnerit e kam shpaguar me gola”, pohoi Bunjaku.

Ai e ka përmendur familjen, e cila e ka ndihmuar dhe i ka dhënë forcë më së shumti kur kishte momente të vështira. Bunjaku thotë se gjithmonë e ka pritur rastin e tij që të luajë. Fitorja ndaj Herthas, mbi të gjitha dy golat e shënuara, ishin çelës i shpërthimit të Bunjakut në elitën e futbollit gjerman.

Bunjaku, që në listën e golashënuesve ka lënë prapa futbollistë si Arjen Robben e Mario Gomez (Bayern Munchen), konfirmon edhe një herë faktin se nuk e ka ndërmend të largohet nga Nurnbergu, ekip ky që e ngriti në nivelet më të larta të futbollit gjerman.

“Ka zëra që disa klube janë të interesuara për mua. Por, me mua askush nuk ka kontaktuar. Unë kam kontratë me Nurnbergun deri në vitin 2012, e cila vlen edhe për ligën e dytë. Unë, bashkë me familje, ndihemi mjaft mirë këtu. Nëse arrin ndonjë ofertë, do ta shikojmë me kujdes. Por, nuk shoh asnjë arsye për t’u larguar nga këtu”, tha në fund të intervistës me Sport1.de, Albert Bunjaku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›