E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe vendet e pasura,përgjegjëse për korrupsionin në Afrikë

Paratë e pista përfundojnë në qendër të botës, raporton “Al Jazeera”
Vendet e pasura të botës shpesh kritikojnë kombet e Afrikës për korrupsionin që kryhet pasivisht nga qeveritë e kontinentit dhe udhëheqësit e biznesit vendas që abuzojnë me pozicionet e tyre për të vjedhur dhjetëra miliardë dollarë asete kombëtare apo fitime nga sipërmarrjet nën pronësi shtetërore, para që në një situatë normale, do të ndihmonin në lehtësimin e varfërisë mes banorëve më të varfër të planetit.


Megjithatë, Perëndimi është gjithashtu fajtor, thotë “Al Jazeera”, rrjeti televiziv ndërkombëtar me bazë në Katar, në një raport investigativ. “Paratë e pista të kontinentit kalojnë nëpër llogaritë bankare që gjenden në Europë apo SHBA”, thotë raporti.


“Rregullat ndërkombëtare kundër pastrimit të parave supozohet të ndalojnë të ardhurat nga korrupsioni të qarkullojnë ligjshëm nëpër botë, por duket se sistemi financiar i botës është tepër i joshur nga perspektiva e fitimeve të mëdha që aktivitetet kriminale sjellin për ta”, vijon më tej “Al Jazeera”.
Për më tepër, Perëndimi ofron edhe mjete të shumta që lehtësojnë fshehjen e parave të vjedhura përmes lejimit të kompanive anonime të regjistruara nëpër parajsa fiskale, të cilat mundësojnë qarkullimin e parave nëpër qendrat financiare më të mëdha të botës. Ekzistenca e këtyre parajsave, të cilat janë shpesh nën territorialitetin e Britanisë së Madhe apo vendeve të tjera, e bën të pamundur për hetuesit të gjurmojnë qarkullimin e parasë së pistë e aq më pak, ta konfiskojnë atë.

Kjo është ajo çfarë shqetëson prej kohësh gazetarin Stanley Këenda nga Zimbabve, i cili përmend rastet flagrante të diamanteve të fushës Marange në lindje të këtij vendi. Disa vite më parë, një burim i pasur me diamante u zbulua duke siguruar miliarda dollarë të ardhura. Këto para mund të shpenzoheshin për investime publike në rrugë, spitale e shkolla, por nuk ndodhi kështu.

Rajoni përreth burimit minerar është një nga më të varfrit në vend. Por Këenda zbuloi se në fakt asnjë dollar nga fitimet miliardere nuk përfundoi në shërbim të banorëve vendas.

“Kur këto diamante erdhën, ato qenë si një dhuratë nga Zoti. Pra ne menduam se do të sillnin përfitime në punësim e infrastrukturë dhe se ndoshta rrugët tona do të përmirësoheshin në mënyrë që gjeneratat e ardhshme do të jetonin më mirë. Por ajo që ndodhi është me të vërtetë e turpshme”, thotë ai.

Ajo çfarë ndodhi në të vërtetë është disi misterioze, për shkak se megjithëse minierat janë dukshëm në punë dhe po prodhojnë miliarda dollarë çdo vit, shumë pak ose aspak prej këtyre parave kanë përfunduar në buxhetin e shtetit të Zimbabvesë.

Organizatat dhe institucionet vendase e ndërkombëtare besojnë se këto para po financojnë ruajtjen e pushtetit të diktatorit vendas, Robert Mugabe. Edhe ministri i Financave të vendit thotë se nuk e di se ku përfundojnë paratë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›