Edi Rama: 90 përqind janë ministra për herë të parë
Kryeministri i ri tha se është bërë kujdes që të mos zbrazet Kuvendi nga zërat me eksperiencë, në kushtet kur është ndarë mandati i deputetit nga ai i ministrit. Pesë ministri për LSI-në, por asnjë ministri për ndonjë aleat tjetër
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, tha se tre janë risitë e kabinetit të ri qeverisës.
Së pari, ka shumë gra, së dyti, shumë të rinj dhe njerëz nga shoqëria civile dhe së treti, 90 përqind janë ministra për herë të parë.
Pesë poste të rëndësishme ministrore kanë shkuar për LSI-në, por asnjë post për aleatët e tjerë.
Qeveria e re, në nivelin e saj të parë, do jetë mishërim i boshtit strategjik të Aleancës për Shqipërinë Europiane, tha Rama.
Qeveria e re nuk do jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, por tryeza e punës së palodhur për të justifikuar pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje si kryeministër, vijoi kryetari i PS.
Rama ka adresuar një falënderim edhe për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Qeveria e re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falënderoj për frymën konstruktive të bashkëpunimit për ndarjen e përgjegjësive. Kemi punuar së bashku me qetësi dhe durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm që do punojnë si skuadër, tha Rama.
Qeveria që duam duhet të mishërojë së pari vlerat e punës në skuadër. Shqiptarët nuk na votuan për të ndryshuar një kryeministër me një tjetër dhe as për të ndryshuar thjesht kahun politik të qeverisjes, por për të ndryshuar Shqipërinë.
Mjaft me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash vetjake e partiake dhe mandate qeverisëse, ku qeveria bëhet trup për të sharë opozitën në Kuvend. Qeveria e re do të jetë një skuadër me 90% të njerëzve që ulen për herë të parë dhe më shumë gra se çkanë pasur qeveritë e vendit në 20 vjet. Këto janë shprehja kuptimplotë e diktatit të revolucionit të votës në 23 qershor. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë me tapi vetëm për burra. Gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për të pasur ministra që ti shërbejnë popullit dhe do të punojnë ditë natë me axhendën e qeverisë së re për të ecur më shpejt në rrugën e rilindjes shqiptare, theksoi Rama.
Kryeministri i ri tha se është bërë kujdes që të mos zbrazet Kuvendi nga emrat me eksperiencë, në kushtet kur mandati i deputetit është ndarë nga ai i ministrit.
Qeveria nuk mund të kryejë me sukses misionin e saj pa një trupë parlamentare, tha Rama, duke e quajtur një risi të madhe ndarjen e mandateve.
Detyra e kryeministrit do të jetë e imja, por pushteti do jetë i popullit. Ministri do qëndrojë në detyrë duke shërbyer me nder dhe duar të pastra, premtoi Rama.
Sa i përket Spartak Ngjelës, që pati pretenduar postin e Ministrit të Drejtësisë, Rama tha se atij i është ofruar një post tjetër, por e ka refuzuar./ep