Kolegji pranon ankesën e PD-së: Do rinumërohen 10 qendra votimi të Lezhës
Kolegji Zgjedhor ka pranuar ankesën e Partisë Demokratike, duke urdhëruar numërimin e 10 qendrave të votimit të qarkut të Lezhës.
Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se fatkeqësisht u pranua pjesërisht kërkesa për rinumërim në 10 qendra votimi.
Është për të ardhur keq që nuk u mor në konsideratë të gjithë ato fakte që u provuan botërisht për 228 qendra votimi ku ishin së pak 300 vota të vjedhura, tha Bylykbashi.
Për ne është një proces që vetëm formalisht do konfirmojë atë që e keni parë të gjithë ju.
Nuk ka pse ky mandat i PD-së të jetë i fituar me 30 vota, por mandati duhet të bazohet mbi votën e vërtetë të shqiptarëve, tha Bylykbashi, duke shtuar se ata kanë fituar me 700 vota diferencë.
Kolegji ka pranuar si provë tabelën e rezultateve të KZAZ numër 13.
Kolegji vendosi ngritjen e katër grupeve të numërimit për këto qendra votimi.
Votat do të rinumërohen në ambientet e gjykatës.
Kjo është e vetmja çështje që po mban pezull shpalljen e rezultatit zgjedhor.
Pas rinumërimit të këtyre qendrave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do bëjë ndarjen e mandateve.
Në kushtet kur KQZ nuk ka votat për të bërë certifikimin e rezultatit, një gjë të tillë do e bëjë Kolegji Zgjedhor.
Një rinumërim i tillë nuk do sillte në asnjë mënyrë ndryshimin e rezultatit, por PD pretendon se duhet transparencë dhe drejtësi për çdo votë./ep
