Edi Rama: Betonizim është ai i Tiranës, jo ky i Sarandës

Edi Rama po shpall edhe publikisht standardet e katastrofës urbane. Dje në Sarandë, ai deklaroi se ishte mishëruesi i betonizimit dhe se standardet e tij në Tiranë ishin ku e ku më të larta sesa betoni provincial i Sarandës. “Unë jam themeluesi i betonizimit, prandaj edhe më takon detyra e mësuesit”, deklaroi Rama, në funksionin e themeluesit të teorisë së betonit
Merakun për humbjen e bashkisë së Tiranës, Edi Rama nuk lë rast pa e shprehur. E ka shprehur që në krye të titullit të librit të tij, që e ka “pagëzuar” me një emër domethënës, (vetëm për atë) “Kurban”. Por, po e shpreh edhe në turin e fundit, të promovimit të “Kurban”-it.
Kulmin e keqardhjes për vetë-kurbanin, që u detyrua të bëhej për Tiranën, e ka shprehur dje në Sarandë. Shpërthimi i Edi Ramës ka qenë jo edhe aq i papritur.
I ekzaltuar nga zhvillimi urban i këtij qyteti, Edi Ramës, gati sa nuk ia janë mbushur sytë me lot, ku para syve i ka dalë katastrofa urbane e Tiranës..., që mban firmën e tij 11-vjeçare.
Në këtë shpërthim, Edi Rama, i cili beson ende se standardet e vendosura prej tij në Tiranë për katastrofën urbane, ende janë më të mirat, nuk ka duruar pa lëshuar dje një pasthirrmë-deklaratë në Sarandë, sipas së cilës ishte ai mishëruesi i betonizimit dhe se standardet e tij në kryeqytet ishin ku e ku më të larta sesa betoni provincial i Sarandës.
“Unë jam themeluesi i betonizimit, prandaj edhe më takon detyra e mësuesit”, deklaroi Edi Rama, para nëpunësve të bashksisë së Sarandës, që i kishte “ftuar” kryebashkiaku Stefan Çipa, për të dëgjuar broçkullat e Edi Ramës për “Kurban”-in.
Por Edi Rama ka pasur gati edhe “justifikimin”, sipas të cilit fajtor për mosbetonizimin e Sarandës, deri në kufijtë e katastrofës urbane të Tiranës, nuk është Stefan Çipa, por gjykata e Sarandës.
Dhe, sikurse i thonë një fjale të urtë popullore, “gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi”, aq ju desh Edi Ramës, sa ti kujtohej “gjykata”, si nocion. Pas kësaj, ju përvesh, gjithë gjykatës e gjyqtarëve të Sarandës, duke i klasifikuar si “bandë e mirëfilltë kriminale” apo “një organizatë mafioze me qëllim fitimi” pse nuk lejojnë betonizimin e këtij qyteti, sipas standardit të Tiranës së kohës së Edi Ramës.
Flet për gjykatën Edi Rama..., ai që nuk ka pranuar e nuk ka njohur asnjë vendim të saj, ai që nuk ka pranuar dhe nuk ka lejuar as Komisione Parlamentare, të kontrollonin “letrat”, për betonizimin e Tiranës, deri në kufijtë e katastrofës urbane.
E pra, ai që nuk ka njohur asnjë autoritet ligjor, për sa kohë ishte ne krye të bashkisë së Tiranës, tashmë zgjedh Sarandën, jo vetëm të na kujtojë qasjet e tij ndaj drejtësisë, por edhe të lëshojë kushtrimin në Sarandë, për mosnjohjen e vendimeve të gjykatës së këtij rrethi, pse jo, bashkëngjitur edhe thirrja “ta betonizojmë Sarandën, si Tiranën”.