Partia Demokratike feston në Pallatin e Kongreseve 21 vjetorin e themelimit të saj, si partia e parë opozitare

- Berisha: PD, parti e vlerave të paqes – diktatura hoxhiste mori qindra e mijëra jetë njerëzish
- Kryeministri Berisha shfaq gjendje lodhjeje në përfundim të fjalimit. Kryeministria: "Është në gjendje të mirë shëndetësore"
UPDATE- Partia Demokratike kremtoi sot 21 vjetorin e themelimit të saj, mes shumë pjesëmarrësve si deputetë, ministra dhe simpatizantë, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, si kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Ettore Sequi, ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë. Të pranishmit kujtuan zhvillimet e para demokratike në vendet e Europës Lindore e mbi të gjitha rrëzimi i Murit të Berlinit, i cili edhe përbën elementin kulmor për fillimin e erës së ndryshimit, sinjale këto të qarta se historia e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, do të ndryshonte thellësisht. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha, themelues i PD dhe drejtues i lëvizjeve për pluralizëm, vlerësoi se viti ’90-të do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si viti i mrekullive të këtij vendi. “Pavarësia pa demokraci de facto nuk është Pavarësi. Viti 90-të do mbetet në kujtesën e shqiptarëve si viti mrekullive të këtij vendi”- u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit bëri një retrospektivë ndër vite duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve atë që ai e quajti “diktatura më e egër në lindje”. Berisha vlerësoi kontributin e të gjithë popullit shqiptar si dhe të miqve europianë në rrugën progresiste të Shqipërisë. “Sot është 21 vjetori të krijimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në vend , partisë së parë të progresit. Viti 90-të do mbetet në kujtesë si viti i mrekullive të Shqipërisë. 21 vjet më parë ishim të vetmit në botë me liri themelore dhe besim fetar të ndaluar. Regjimi komunist hoxhist ishte më i egri, pas atij të Bashkimit Sovjetik. Studentët me në krye tribunën e lirisë Azem Hajdari gjunjëzuan diktaturën komuniste, themeluan pluralizmin politik. Sonte festojmë ditëlindjen e lirive individuale, shqiptarët e provuan se pavarësia pa demokraci de facto nuk është pavarësi. Pluralizmi dhe pavarësia janë dy faqe të ndritura të historisë tonë. Ne festojmë si vend i votës së lirë, fjalës së lirë, respektimit të të drejtave të njeriut, si vend i institucioneve ligjore. Përparësi e PD-së është dhe do vazhdojë të jetë sigurimi dhe garantimi i lirisë së qytetarëve. Diktatura hoxhiste mori qindra e mijëra jetë. Viti 90-të krahas të tjerave është dhe viti i lindjes së ekonomisë së lirë të tregut. Sot ne nuk jemi ndër vendet e pasura por jemi vend me ekonomi të qëndrueshme. Në 21 vjet të ardhurat për frymë janë rritur 40 herë, eksportet janë dyfishuar çdo dy vjet, potencialet natyrore kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, janë rritur rrogat dhe pensionet, është transformuar infrastruktura. Vende të reja punë për shqiptarët dhe kryesisht për të rinjtë do mbeten prioritet i vendit. 90-ta është viti i përmbysjes së diktaturës me rrugë paqësore. Diktatura hoxhiste e Ramiz Alisë dëshmoi se kishin prehur hanxharët ndaj çdo përpjekje për të shtypur pushtetin e tyre. Klika hoxhiste u zhduk në bunkeret e tyre. PD e dëshmoi veten si parti e vlerave të paqes” - vlerësoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se përgjatë këtyre 21-vjetëve Shqipëria ka hapur një faqe të re historike duke realizuar progres të madh në zhvillimin e vendit dhe të mirë integruar në aleancat më të rëndësishme në Europë. Berisha theksoi se prioritet i shekullit për çdo shqiptar do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. “PD ka qenë dhe mbetet parti e dialogut, besimit, konsensusit në dobi të interesave të kombit. PD është forca e parë politike në lindje që shpalli si prioritet anëtarësimin në Evropë. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, lëvizim pa viza ndërsa integrimi i vendit në BE do të jetë projekti i shekullit për çdo shqiptar”- tha më tej, kreu i PD-së, Berisha. Lëvizja studentore në fillim të dhjetorit 1990, shtyu një grup studentësh dhe intelektualësh, të krijonin të parën forcë politike opozitare në Shqipëri, e cila do t’i jepte fund diktaturës komuniste dhe do të promovonte vlerat europiane për liri dhe demokraci. Thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mbushën rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Sali Berisha, mjek kardiolog ishte në krye të lëvizjes së ndryshimit të madh të vendit. Duke marrë mbështetjen e të gjithë grupit nismëtar, zoti Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, komunistët e Partisë së Punës ri-konfirmohen në drejtimin e vendit dhe Partia Demokratike renditet në opozitë. Por, një vit më pas, në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike fiton zgjedhjet. Prioritetet e programit politik të Partisë Demokratike ishin modernizimi dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike.
Reagimi i Kryeministrisë: Kryeministri Berisha shfaqi gjendje lodhjeje në përfundim të fjalimit
Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit bën të ditur se “pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”. Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij. Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën.
...