E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Dilemat për 8 majin dhe miqtë që më thanë se do të bëhej “Vaterloja ime”

Në librin ”Kurbani”, Edi Rama shkruan se kandidimi i katërt për Tiranën ishte një vendim zemre, që shkoi përkundër mendjes e arsyes politike. “Koço Kokëdhima e Ndre Legisi, por edhe disa të tjerë pranë meje në parti këmbëngulnin se Tirana nuk ishte më beteja ime. Megjithatë Tirana nuk u bë në fund fare Vaterloja ime, po fitorja e Pirros për Saliun”

Një vendim zemre, që shkoi përkundër mendjes e arsyes politike, e përshkruan Edi Rama kandidimin e tij të katërt për Bashkinë e Tiranës. Në librin “Kurbani”, ai rrëfen të gjitha dilemat para marrjes së vendimit, druajtjet nga psikoza e humbjes së terrenit, lutjet e njerëzve që i kërkonin ta udhëhiqte ai betejën për Tiranën apo kundërshtive të miqve, të cilët parashikonin se Tirana do të kthehej në Vaterlonë e Edi Ramës. “Megjithatë Tirana nuk u bë në fund fare Vaterloja ime, po fitorja e Pirros për Saliun”, - shkruan Edi Rama, i cili shpjegon më tej versionin e tij për atë që e quan pushtimin e Bashkisë e deri në numërimin e kutisë së fundit për Tiranën. Duke perifrazuar telefonatën e një miku të tij, Edi Rama shkruan: Një mik më mori në telefon e më tha: “Kur numërohej kutia e fundit, s’munda më dhe dola në ballkon. Kisha njëzet vjet pa dëgjuar zogjtë në Tiranë. Vetëm cicërima e tyre kishte mbetur në rrugë. Asnjë lëvizje tjetër. Gjithë dynjaja duke numëruar vota”.

Edi Rama

E çmoj mbi të gjithë zërin e Lindës dhe i besoj kur më thotë ndiq atë që të thotë zemra duke e pyetur mendjen, jo nëse duhet të ndjekësh zemrën, por vetëm si duhet ta ndjekësh për të bërë me zemër gjënë e duhur, e kjo më ndihmon sa asgjë tjetër, sepse jeta për mua vlen të jetohet vetëm në pjesën kur zemra s’është peng i frikërave e ngurrimeve që krijon mendja dhe mendja më thotë se vetëm kështu gabimet mund të jetohen më lehtë e rruga mund të shihet më mirë, pavarësisht pasojave të gabimeve të zemrës apo gjykimeve të gabuara të të tjerëve mbi punët e gjërat e bëra me zemër. Ishte një vendim zemre ai i kandidimit për Bashkinë e Tiranës herën e katërt, mendja thoshte së shumti të kundërtën, përllogaritjet e arsyes politike padyshim ndihmonin mendjen jo zemrën e lidhur fort me projektin e Tiranës, me ëndrrën e pambaruar e idetë ende të parealizuara, me pengjet e shpirtit për gjërat e pabëra realitet në rrugëtimin e penguar gjithnjë e më shumë nga përballjet e vështira me kundërshtarë të verbuar prej paaftësisë, mërive, zilive apo keqdashjes së shpërthyer deri në urrejtje civile gjatë viteve të fundit, me frikën e madhe të devijimit regresiv nga rruga e hapur e së ardhmes.

Kandidimi i katërt

Me njerëzit sidomos, që më shihnin në sy e ma kërkonin ta udhëhiqja unë betejën, duke shprehur frikë prej lugatërisë së mbledhur në aleancën e paranë më të madhe të bërë bashkë ndonjëherë për një fushatë elektorale shqiptare, pakrahasimisht më të madhe se sa në shtegun e vështirë të vitit 2007, por edhe sigurinë se vetëm me mua në krye të betejës për Tiranën do të zmbrapsej lumi i së keqes që ishte ngjyrosur me gjakun e pafajshëm të bulevardit në 21 janar e fryrë me prurjen e një dhune shtetërore të hatashme mbi gjithë trupën zgjedhore të kryeqytetit. S’më lëkundte frika e tyre për të parën, s’e dyshoja asnjë çast fitoren time, sondazhet tona ishin të qarta për avantazhin tim me kanakarin e Saliut e të Partisë Socialiste me partinë e tij, po i druhesha shumë psikozës së humbjes së terrenit që mund të krijohej në elektoratin tonë nga moskandidimi im e vendosja e një figure tjetër brenda rrethit të fituesve e pasuesve të mundshëm të stafetës së projektit tonë për Tiranën Europiane, rënies morale të strukturave elektorale nën tamtamet e propagandës së kampit kundërshtar të luftës së gjithanshme me mendimin se unë u tërhoqa ngaqë i trembesha humbjes, boshllëqeve që mund t’i krijoheshin kandidatit pasues. Edhe sondazhet e ndikonin shumë këtë merak me të dhënat e tyre ku një pjesë jo e vogël e lexonte versionin e moskandidimit tim si shtysë për abstenim.

Tirana, Vaterloja ime?!

Asnjëherë s’kemi për ta marrë vesh çfarë do të ndodhte nëse Aleanca për të Ardhmen do të paraqitej në garën e 8 majit në Tiranë me një kandidat tjetër, kush mendonte se beteja do të kthehej në Vaterlonë time, disa miq të mitë të afërt ngulmonin se ashtu do të ndodhte e unë s’do t’ia dilja pikërisht sepse kthimi i zgjedhjeve të 8 majit në një përplasje frontale politike që na dha një fitore të madhe në të gjithë Shqipërinë që paguan taksa, do të akumulonte sasinë më të paparë të energjive negative kundër meje në Tiranë, Koço Kokëdhima dhe Ndre Legisi ishin më këmbëngulësit në këtë drejtim, ata dhe disa të tjerë pranë meje në parti thoshin se kjo s’qe beteja ime, unë duhej të fokusohesha në udhëheqjen e betejës kombëtare e të programoja më pas, i çliruar nga barra e Bashkisë, fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme, edhe sikur ta humbisnim Tiranën me dikë tjetër s’do të qe faturë politike për mua e me radhë, kishte një zinxhir arsyetimi të shëndoshë që realiteti e provoi plotësisht të bazuar, por megjithatë Tirana nuk u bë në fund fare Vaterloja ime po fitorja e Pirros për Saliun. Lumi i së keqes ngeci 10 vota para derës së Bashkisë së Tiranës pas përballjes më të pabarabartë elektorale që unë vetë kam parë, me shtetin e transformuar në një makineri zgjedhore në shkelje flagrante të ligjit, të lirive e të drejtave kushtetuese dhe dhjetëramijëra qytetarëve, e cila ekzekutoi një plan pushtimi kriminal të Bashkisë përmes një manipulimi në front të gjerë, duke nisur nga dosjet e dokumenteve zgjedhore të të gjitha kutive të votimit në kryeqytet gjatë zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009, që Arben Ristani, xhepisti dandy i Saliut në krye të KQZ-së, i fotokopjoi në shkelje të plotë të ligjit e ia dorëzoi shtabit të pushtimit, për të nxjerrë emër për emër ata që kishin votuar si dhe ata që s’kishin marrë pjesë, sidomos emigrantët, në emër të të cilëve u printuan karta identiteti të falsifikuara me fotografi të mercenarëve që pushtuesit e rinj angazhuan më pas nga brenda e nga jashtë kufijve të Shqipërisë për të votuar me herë nëpër Tiranë më 8 maj, duke vazhduar me transferimet e votuesve nga të tjera zona elektorale të vendit, punë e organizuar prej kanakarit të Saliut qyshse u ul në karrigen e ministrit të Brendshëm dhe e pasosur edhe matanë afatit 60 ditor të Kodit Zgjedhor me njerëz që s’banuan asnjë ditë në kryeqytet, po u regjistruan si banorë në adresa garazhesh, deposh, magazinash, shkollash, ambulancash apo thjesht në shtëpi ku banonin të tjerë pa asnjë lidhje me ta…

Numërimi i kutisë së fundit

E megjithatë humbën. Që të gjithë bashkë. U ndalën të ngrirë prej dorës së popullit kryeqytetas në distancën e vetëm një frymëmarrjeje të thellë nga pragu i ëndërruar njëmbëdhjetë vjet, si një makth i pandalshëm që në rrokullimën e viteve fryu e fryu lumin e së keqes me gjithfarë prurjesh nga tërë përrenjtë malorë, rrëketë e ultësirave, kanalet e mbidheshme e nëntokësore, pellgjet urbane, çezmat, jazet, fuçitë, dushet, bidonët, gjysmat, sapllakët e xhezvetë e politikës së vjetër, dhe mbeti 10 vota larg. Mbetën në dekikun e fundit pas gjashtë vjetësh rrethimi të shtrënguar e shtrënguar përmes shkatërrimesh, dëmesh, paudhësish, në thërrimen e fundit, pas gllabërimit të një sille të tërë ndyrësish ku tretën avantazhin e vërtetë, diferencën reale, murin e pakapërcyeshëm të votave që i ndante prej nesh, njësoj siç i ka ndarë historikisht, në milimetrin e fundit të një rruge të përshkuar me dhunë, uri, harbutëri të pashoqe. Një mik më mori në telefon e më tha: “Kur numërohej kutia e fundit, s’munda më dhe dola në ballkon. Kisha njëzet vjet pa dëgjuar zogjtë në Tiranë. Vetëm cicërima e tyre kishte mbetur në rrugë. Asnjë lëvizje tjetër. Gjithë dynjaja duke numëruar vota”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›