E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i 3.7 milionë USD, arrestohen 2 bashkëpunëtorët e biznesmenit

Dy persona janë arrestuar dje si bashkëpunëtorë të biznesmenit 29-vjeçar Vaid Tarja. Ata akuzohen për pastrim parash dhe shmangie detyrimesh fiskale

Elbasan-Arrestimi 15 ditë më parë i biznesmenit Vaid Tarja është shoqëruar dje me ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar për pastrimin e një shume prej 3.7 milionë dollarësh. Burime nga policia dhe prokuroria saktësuan se me zbardhjen e ngjarjes është zbuluar përfshirja në krim e Sokol Nasufit e Elton Becit. Të tre personat hetohen për veprat penale të “ pastrimit të produkteve nga vepra penale”, “falsifikimit të dokumenteve” e “fshehjes së të ardhurave”, si dhe për “mospagim të taksave”. Burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit thanë se pas një hetimi 1- vjeçar nga kjo prokurori është arritur të provohet veprimtaria e këtij grupi, që mendohet të ketë fshehur detyrime fiskale me vlera të mëdha. “Nga hetimet ka rezultuar dokumentacioni i plotë që vërteton se subjekti tregtar ka kryer shitje të konsiderueshme në drejtim të subjekteve të tjera dhe konkretisht në tetor të vitit 2010 i ka bërë një shitje me vlerë të madhe subjektit VIP me emrin tregtar “ EUR-SPED-TANS-CROM”, e cila ka vlerën pa TVSH, 2600.000 $, dhe me vlerën me TVSH, 312000$. Nisur nga këto rrethana, Prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar gjykatës së këtij rrethi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Sokol Nasufi dhe Elton Beci”, thuhet në një njoftim të organit të akuzës. Vendimi i Gjykatës së Elbasanit është ekzekutuar dje në bashkëpunim me Departamentin e Hetimeve, Sektori kundër Pastrimit të Parave, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Sokol Nasufi e Elton Beci u ndaluan dhe u vunë nën masën e “arrestit në burg”. Gjithashtu, në lidhje me këtë procedim penal po hetohet për të njëjtat vepra penale me masë sigurimi “arrest në burg” edhe biznesmeni Vaid Tarja, i cili ndodhet i paraburgosur pasi u arrestua rreth 15 ditë më parë. Ndërkohë janë vënë nën sekuestro pronat e kompanive të Tares, si dhe llogaritë bankare të tij e të dyshuarve si bashkëpunëtorë. F.S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›